Në ditën kur u vendos kalimi i ish-kryeministrit socialist Pandeli Majko për fushatë elektorale nga Kukësi në Tiranë, kreu PD Sali Berisha e akuzoi Majkon për përfshirje në krime elektorale.
Madje zoti Berisha shkoi më tej kur tha se “SHISH për këtë kishte kryer një përgjim ambiental në një lokal në Kukës”.
Vetë Pandeli Majo përmes kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali i drejtoi një kërkesë SHISH, për të marrë informacion pas këtij pretendimi të pohuar publikisht në një konferencë për shtyp nga Sali Berisha.
Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, e ka parë përgjigjen e SHISH për kuvendin, përmes të cilës rrëzohet pretendimi i zotit Berisha. Në përgjigjen e shkurtër me mbishkrimin sekret mbërritur në kuvend disa javë më parë thuhet:
“Nuk kemi bërë dhe as nuk disponojmë ndonjë përgjim ambiental apo në forma të tjera, ndaj deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Pandeli Majko. Ligji për SHISH e parashikon qartësisht mënyrën, formën dhe marrjen e lejeve përkatëse se kur dhe si përgjohet një deputet i parlamentit” thuhet në reagimin e SHISH.
Kjo përgjigje i jep fund përplasjes Berisha-Majko mbase edhe duke kthyer paqen në heshtje mes tyre. Në një intervistë për Top Channel Pandeli Majko e përjashtoi mundësinë e ngritjes së një padie për shpifje ndaj zotit Berisha.


