Kosova shënon sot 17-vjetorin e pavarësisë së saj, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. Një sërë organizimesh – nga mbledhja festive e Qeverisë së vendit deri te parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës – priten gjatë ditës, për nder të këtij përvjetori.
Në një mbledhje festive të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se sot është dita të nderohen të gjithë ata qe sakrifikuan për liri.
“Liria për të cilën kemi sakrifikuar kërkon demokraci që mundëson të dëgjohet zëri i popullit . Demokracia kërkon institucione të sigurta. Republika jonë sot është më e fortë dhe vitale si kurrë me parë sepse forcuam institucionet demokratike dhe kemi ndërtuar institucionet tona që janë në shërbim të qytetarëve. Kemi ndërtuar shtet solidar për qytetarët”, tha Kurti.
Pas ngritjes solemne të flamurit, Presidentja Vjosa Osmani nënvizoi se s’ka asgjë që e ndalë Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane, dhe të përjetshme
E dalë nga zgjedhjet pret formimin e qeverisë
Kosova është e sapodalë nga një proces zgjedhor dhe është në pritje të formimit të institucioneve të reja. Fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual, Albin Kurti, por pa siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për ta formuar qeverinë e vetme.
Urimet nga presidenti Trump e Steinmeier
Dje presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar një mesazh urimi për përvjetorin e pavarësisë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Aty thuhet se Trump e “përgëzon popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë” dhe vë në pah “qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces”.
“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe me padurim presim që t’i zgjerojmë ato – veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime – me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona”, thuhet mes tjerash në letër.
Edhe Presidenti i Gjermanisë, Frank-Ëalter Steinmeier ka uruar presidenten Vjosa Osmani për 17-vjetorin e Ditës së Pavarësisë, duke riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme në përkrahje të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit evropian të Kosovës.
“Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë në politikat e sigurisë, reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë. Gjermania mbështet në mënyrë të pandryshuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe dëshiron që ajo të bëhet anëtare e BE-së”, thuhet në urim.
Kosova përballë ndërkombëtarëve
Qeveria e Kurtit, viteve të fundit, është kritikuar nga zyrtarët amerikanë, për shkak të disa hapave të cilësuar si të pakoordinuar kundrejt komunitetit serb. Autoritetet e Kosovës, përveç tjerash, kanë hequr nga përdorimi dinarin serb dhe kanë mbyllur shumicën e institucioneve të Serbisë, prej të cilave serbët kanë marrë shërbime të ndryshme.
Qeveria i ka justifikuar këto veprime si shtrirje të autoritetit të saj dhe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Por, për shkak të tyre, edhe Bashkimi Evropian ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese kundër Kosovës, duke i pezulluar disa fonde dhe takime të nivelit të lartë.
Shtatëmbëdhjetëvjetori i pavarësisë e gjen Kosovën si shtet të njohur nga rreth 117 vende të botës. Vendi është pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
Por, nuk është ende në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës etj.


