Martin Cani, 14-vjeçari që mbeti viktimë e një sherri me bashkëmoshatrët e tij ditën e djeshme, ka prekur mbarë opinionin publik.
4 adoleshentë të moshës 14 vjeçarë nxënës të shkollës 9 vjeçare ‘Fan Noli’ u përfshinë ditën e djeshme në një sherr të dhunshëm ku mësohet se është përdorur një thikë.
Martin Cani 14 vjeç u godit me thikë në zemër dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës.
Ndërkohë Luis Meçja 14 vjeç ka plagë në gjoks ndodhet në gjendje stabël në spital.
Reagimet për këtë ngjarje tronditëse ku nuk është rasti i vetëm, qenë të shumta.
Psikologia Eriona Hoxha në një interrvistë ekskluzive për Alpenews.al shprehet se jetojmë në një shoqëri të dhunshme, sjelljen agresive të fëmijëve përfshijnë mosbindjen ndaj mësuesve dhe sajimin e historive që nuk kanë ndodhur.
INTERVISTA E PLOTË
1-Cilat janë arsyet që adoleshentët mund të përfshihen në situata kaq të dhunshme si një sherr me thikë dhe ka një fatalitet të tillë, pasi ky nuk është rasti i vetëm ku të mitur janë vrarë me thikë?
Adoleshentët e sotëm përfshihen në situata të tilla pasi janë të ekspozuar nga dhuna në çdo ambjent, qoftë në atë familjar, social apo përsa i përket pjesës së rrjteve sociale, telefonave etj, që do të thotë se përveç konflikteve të brendshme që i shkakton stadi moshor ata nuk janë as të kontrolluar. Adoleshenca është një fazë ku secili nga ne shfaq ato problematikat e veta, kush më shumë e kush më pak, sepse të rritesh e të zhvillohesh për ata është një vështirësi ndaj duhet të udhëhiqen nga modele të mira gjatë rritjes. Për vetë stadin moshor ata nuk kanë kapacitet të kontrollojnë emocionet, e shpeshherë vetë prindërit nuk merren mjaftueshëm për të kuptuar botën e brendshme të fëmijës së tyre e kjo shpeshherë i ngarkon më shumë ata si fëmijë. Prindërit sot edhe për ndryshimet sociale dhe ekonomike që kanë ndodhur në vendin tonë, mendojnë se përkujdesje është thjesht plotësimi i nevojave, e kanë më të lehtë t’u plotësojnë nevojat materiale. Vihen në vështirësi për t’i marrë një telefon fëmijëve dhe nuk mendojnë për edukimin që po marrin ata fëmijë apo se si ata ndihen; kemi prindër që nuk komunikojnë me fëmijët e tyre, nuk bëjnë aktivitete me ta, nuk i dëgjojnë të pathënat që ndonjëherë këta fëmijë kanë brenda tyre. Kur u referohemi rasteve të mëparshme, ato janë një tjetër aspekt modelues. Kur përmendim rastin që ka ndodhur në majin e vitit të kaluar në Gramsh ku që ka qenë e njëjta dinamikë, e njëjta grupmoshë, me të njëjtat rezultate, një të vrarë e një të plagosur, këto janë një element modelues që të rinjtë e sotëm janë të ekspozuar nëpërmjet rrjeteve sociale. Sot kemi dhunë në tekste këngësh, kemi dhunë mes të rriturve, kemi dhunë në rrugë, në politikë etj. sepse dhunë është dhe ajo formë e komunikimit të ashpër që komunikojnë të rriturit midis njëri-tjetrit ku të sharat dhe ofendimet janë në format më vulgare, për mos thënë pastaj dhunën në rrjetet sociale .
2-Si ndikon mjedisi social dhe familjar në formimin e sjelljes së dhunshme te të rinjtë?
Të dy mjediset janë plotësues në formimin e individit. Mjedisi dhe rrethi shoqëror janë faktorë ndikues në formësimin e personalitetit të fëmijës. Fëmijët kalojnë më shumë kohë jashtë me shokët dhe aktivitetet se sa në familje.
Nevojat e ndryshme sociale dhe psikologjike ata mund t’i plotësojnë vetëm duke u bërë pjesë e një grupi. Shpeshherë fëmijët kanë nevojë të jenë pjesë e grupeve të bashkëmoshatarëve dhe duke dashur të jenë të pranuar konformohen me grupin dhe bëjnë edhe veprime apo sjellje që mund të bien ndesh edhe me edukatën familjare. Ndaj shpeshherë në këto ngjarje flasim për të pafajshëm. Në grupin shoqëror, fëmijët mësojnë të mendojnë, vendosin dhe të veprojnë bashkarisht, e të tjera sjellje si këto që bien edhe në kundërshtim me ligjin dhe sjellin pasoja të parikthyeshme dhe fatale. Në mjedisin social dhe edukues futet edhe shkolla.
Mjedisi familjar është fillimi dha vendosja e bazave për sjellje korrekte në shoqëri. Atë që fëmija mëson në familje e pasqyron brenda dhe jashtë saj. Familja formëson, modelon dhe mirëmban sjelljen e fëmijës edhe duke e monitoruar këtë të fundit. Nëse në familje mungon komunikimi ose komunikimi është denigrues apo i dhunshëm fëmija bëhet i dhunshëm ose i dhunuar. Dhe jashtë familjes së tillë ai shfaqet aggressor ose viktimë.
3-Si mund të identifikohen shenjat paralajmëruese që një adoleshent është i prirur ndaj dhunës dhe mund të çoj në një ngjarje kaq të rëndë?
Në veçanti, sjelljet agresive te fëmijët përfshijnë mosbindjen ndaj mësuesve, sajimin e historive që nuk kanë ndodhur kurrë dhe gënjeshtrën, futjen në telashe, përfshirjen në sjellje që bezdisin të tjerët dhe fillimin e grindjeve fizike dhe verbale me shokët e klasës. Për ta konsideruar një sjellje të dhunshme, fëmija duhet të veprojë me qëllim që të shkaktojë shqetësim tek të tjerët – si moshatarët ashtu edhe të rriturit; edhe nëse këto qëndrime shpesh raportohen nga shkolla fillore.
4- Çfarë mund të bëjnë prindërit dhe shkollat për të parandaluar situata të tilla?
Detyra e atyre që punojnë në shkolla apo e prindërve po bëhet gjithnjë e më komplekse. Nëse nga njëra anë Konventa për të Drejtat e Fëmijëve dhe Adoleshentëve nënvizon përqendrimin e nevojave të fëmijëve dhe adoleshentëve, nga ana tjetër ka një konflikt gjithnjë e në rritje të diktuar nga sjelljet transgresive, antisociale dhe të dhunshme.
Prandaj, edukatorët kanë nevojë për përditësim të vazhdueshëm, si për format e reja të vuajtjes nga të cilat vuajnë shumë nga këta fëmijë dhe adoleshentë, ashtu edhe për metodat e mundshme dialoguese dhe strategjitë edukative për të qenë në gjendje t’i parandalojnë dhe menaxhojnë ato. Komunikimi, dëgjimi dhe përfshirja e tyre në aktivitete të cilat ata i propozojnë vetë duhet të jetë prezente gjithë kohës. Nuk vlejnë metodat imponuese apo kërcënuese ndaj sjelljeve që shoqëria nuk i pranon pasi në fazën e adoleshencës është tendencë që të shtyjë kufirin e vendosur e ndërsa edukatori ta mbajë të qëndrueshëm këtë kufi.
5-A janë programet e ndërgjegjësimit dhe edukimit të mjaftueshme për të zvogëluar dhunën në shkolla nëpërmjet nxënësve?
Mendoj se janë të mjaftueshme por i duhet dhënë rëndësia e duhur në trajtimin e tyre e ndoshta shpeshherë të trajtohen nga individë jashtë shkolle dhe të jenë sa më praktike e të kuptueshme nga grupmosha e përfshirë. Fëmijët nuk duhet ta shohin dhe ta perceptojnë thjesht si një orë mësimi.
6-Cilat janë efektet psikologjike për adoleshentin agresor të ngjarjes që çoi dhe në vrasjen e moshatarit të tij?
Paraprakisht nuk përjashtohen elementet që kemi përmendur më lart tek individët që arrijnë të bëjnë sjellje të tilla. Efektet psikologjike për adoleshentin agresor lidhen shumë me reagimin dhe trajtimin nga individët që e trajtojnë si rast. Në eksperiencën time kam parë adoleshentë të shokuar dhe nuk e besojnë atë që kanë bërë, kam hasur në adoleshentë që e mohojnë ose manipulojnë rrethanat, kam hasur në adoleshentë të penduar por edhe në ata që jo vetëm nuk kanë shfaqur pendesë por justifikojnë sjelljen e tyre si të drejtë apo si të vetmen mënyrë reagimi, kam parë adoleshentë që janë ndjerë “të fortë” në prezencë të prindërve të tyre që shpeshherë kanë zgjidhur çdo problem të fëmijës duke mos e ngarkuar me përgjegjësi dhe e shohin veten që do dalin shumë shpejt nga ky telash momental.
7-Si ndikon një ngjarje e tillë tek të rinjtë që janë dëshmitarë ose dëgjojnë për të?
Ngjarje të tilla shënjojnë jetën jo vetëm të atyre fëmijëve por edhe të personave të rritur, pasi janë trauma të mëdha në të përballuar sepse personalitete të ndryshme kanë mënyra të ndryshme të përjetimit.
8- Çfarë roli duhet të luajnë psikologët shkollorë në trajtimin e traumës pas ngjarjeve të tilla?
Stafet psikosociale duhet të përdorin të gjithë instrumentat dhe mekanizmat për të lehtësuar situata të tilla në psikikën e fëmijëve.
9-Çfarë ndryshimesh duhet të bëhen në sistemin arsimor dhe në politikat sociale për të parandaluar dhunën mes të rinjve?
Duhet të ketë një bashkëpunim më të madh dhe në të mirë të nxënësve nga prindërit me mësuesit, familja dhe shkolla që është edhe mjedisi social duhet të jenë partnerë dhe jo në pozita sulmuese dhe akuzuese.
10- Ngjarje të tilla marrin një vëmendje mediatike dhe diskutime në emisione, a e shihni ju si promovim deri diku të dhunës kur këto raste bëhen kaq shumë publike?
Edhe pse padyshim mbetet e vërtetë se ekspozimi ndaj modeleve të dhunshme si në mjetet e komunikimit masiv ashtu edhe në botën reale përfaqëson një pjesë qendrore në krijimin e një strukture njohëse dhe emocionale tek fëmija i favorshëm për zhvillimin dhe ruajtjen e sjelljeve agresive . Prindërit kanë gjithmonë çelësin. Duket se edhe një herë “faji” ose, më mirë, përgjegjësia për të gjithë këtë, bie mbi mamin dhe babin sepse edhe telefonat që vihen në dorën e të miturve duhet të jenë të kontrolluara nga prindërit në formën e ndërtimit të besimit dhe që fëmijët të shprehen e të shpjegohen e jo të kenë frikë prindin dhe të fshehin programe që aksesojnë duke mos treguar.
Alpenews.al


