Nga Shkodra, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka hedhur poshtë pretendimet e PD se efektivi i FNSH në oborrin e Kuvendit ishte i armatosur dhe se u ka nxjerrë armën deputetëve. Në bazë të ligjit për tubimet, në një prononcim për gazetarët, ministri tha se asnjë prej efektivëve nuk ishte i pajisur me armë zjarri.
“Policia është shprehur qartë se nuk ka pasur asnjë tentativë të nxjerrjes së armës nga efektivi, në ligjin për tubimet është e përcaktuar nga rastet kur përdoren armët e zjarrit, nuk kanë pasur dhe s’kanë qenë të pajisur me armë zjarri. Sulmi i deputetëve ndaj policisë dhe gardës, në prag të marrjes së ditës së negociatave dhe anëtarësimit së Shqipërisë në BE, nuk është i pranueshëm sepse forcat e policisë dhe Garda është për të mbrojtur institucionet kushtetuese”, u shpreh ministri Hoxha.
Sa u takon polemikave, se përse FNSH u fut në oborrin e Kuvendit, ndërkohë që aty ende ishin deputetët, ministri Hoxha tha se po zbatonin detyrën. Ai theksoi se Garda dhe Policia ishin aty për të mbrojtur institucionet, ndërkohë që dënoi sulmet e deputetëve të PD ndaj efektivëve duke thënë se janë të papranueshme.
“Keqardhje për opozitën, që ushtroi dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe gardës, që ishin atje për të kryer detyrën. E drejta e tubimit garantohet nga ana e punonjësve të policisë, ndërsa e drejta e dhunës, goditjes, shkatërrimit, goditjes së policisë, nuk tolerohet.
Forcat e policisë kanë qenë atje për të bërë detyrën dhe mbrojtjen e institucioneve, ndjej keqardhje që forma dhe mënyra e intimidimit dhe imponimit të kësaj maxhorance me mjete shkatërruese djegëse, nuk është forma e duhur dhe bie ndesh me parimet e demokracisë”, tha më tej ministri.
Sipas ministrit, mosbindja civile po keqpërdoret nga opozita.
“Mosbindja civile është term që po keqpërdoret, policia është për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike konform ligjeve, asnjë kapërcim tjetër nuk do lejohet në kuadër të mbrojtjes së institucioneve”, vijoi ministri.
Ndërkohë, sa i takon pretendimit të PD, burimet thanë se AMP nisi verifikimet dhe ka rezultuar se efektivi nuk ka pasur armë. Por, polemikat vijojnë ende për ndërhyrjen e FNSH në oborrin e Kuvendit dhe se kush u dha urdhrin për të ndërhyrë. Burime nga Garda thonë se nuk kishin kërkuar ndihmën e policisë, por ka qenë një oficer i ri që ju ka hapur portën policëve që i kishin thënë se kishin ardhur për protestën që opozita mbante para Parlamentit.
Dinamika e përplasjes
Gjithçka nisi pas përfundimit të seancës plenare, ku të përjashtuarit nuk u lejuan të futen në sallë. Më pas militantët e PD që po protestonin te Bashkia e Tiranës u zhvendosën para hyrjes së Kuvendit. Aty protestuesit i përplasën me policinë duke tentuar të hapin derën për t’u futur në Kuvend. Nga ana tjetër, FNSH u fut nga pjesa e pasme e Kuvendit, ndërkohë që brenda në oborr ishin ende deputetët e opozitës. Pas përplasjeve të ashpra, FNSH u largua nga ambientet e Kuvendit edhe pas ndërhyrjeve të Gardës.


