Një gjykatë në Prishtinë dënoi të mërkurën me tetë muaj heqje lirie dhe një gjobë prej 10 mijë eurosh, një pjesëtar të komunitetit serb, nën akuzat për përfshirje në sulmet e dhunshme kundër forcave paqeruajtëse të NATO-s në fund të majit të vitit të kaluar.
Gjykata Themelore në Prishtinë tha se i akuzuari Lazar Dejanoviç, “arriti marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë” lidhur me veprat penale sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm”.
Deri tani dhjetë persona janë arrestuar në lidhje me trazirat e dhunshme të 29 majit të vitit të kaluar, por një pjesë e tyre po mbrohen në gjendje të lirë.
Në qershor një gjykatë në Prishtinë dënoi me 15 muaj heqje lirie dhe një gjobë prej 12 mijë eurosh një pjesëtar të komunitetit serb për përfshirje në atë sulm.
Forcat paqeruajtëse dhe diplomatët perëndimorë i kanë cilësuar të papranueshme sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe kanë bërë thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë./VOA


