Bashkëshortja dhe xhaxhai i Aleks Nikës ishin këtë të martë prezentë në seancën e mbajtur për 21 janarin në Gjykatën e Lartë.
Pas vendimit për t’ia kaluar hetimet e vrasjeve zyrtarisht SPAK-ut, familjarët e Nikës janë shprehur besimplotë për drejtësi. Të pyetur jashtë gjyqit, ata thanë se më në fund e drejta po fiton, ndërsa janë shprehur se kanë besim te hetimi që SPAK do i bëjë çështjes.
“Vendimet e saj janë përfundimtare dhe të pakontestueshme, pasi në mënyrë profesionale vendosën që çështja të hetohet nga SPAK. Kjo ishte dhe kërkesa jonë”,-tha xhaxhai i Aleks Nikës.
“E prisnim sepse e drejta gjithmonë fiton. Mundi dhe gjithçka kemi kaluar deri më tani u shpërblye më në fund. Shpresoj të vazhdojnë dhe të trajtohet ashtu siç meriton. Ne kemi kallëzuar në këtë çështje të gjithë zinxhirin nisur nga Sali Berisha”,-tha Rajmonda Nika.
Ajo tha se ka besim te SPAK, ndërsa e pyetur nëse do e dorëzojnë regjistrimin, të cilin familja ka refuzuar ta dorëzojë më herët, Nika tha se kanë pritur momentin që SPAK të marrë në shqyrtim çështjen për ta dorëzuar atë.


