Regjimi i posaçëm “41-bis”, i prezantuar për herë të parë në vendin tonë në vitin 2019 dhe i aplikuar një vit më vonë, deri më tani ka izoluar 15 njerëz të botës së krimit, të cilët, për shkak të rrezikshmërisë së lartë, është parë e udhës nga autoritetet të mbyllen në qelitë e veçanta, të strukturuara enkas. Atyre u lejohet vetëm një takim në muaj me familjarë të afërt dhe jo anëtarë të tjerë të fisit. Në takime regjistrohen me audio dhe video dhe nuk u lejohet futja e asnjë lloj sendi, përfshirë edhe paratë. U lejohet vetëm një telefonatë në muaj, e monitoruar, maksimalisht 10 minuta. Në ajrim mund të dalin deri në 2 orë në ditë, ndërsa u ndalohet të përfshihen në organizata dhe sindikata burgjesh. I fundit që u vendos brenda këtyre qelive është Albert alias Ilir Kupa, kreu i grupit të babagjyshërve, autor i grabitjeve të shumta, në veçanti ajo e fundvitit 2013 në TEG.
Por, kush ishin të parët që provuan izolimin total nga bota e jashtme?
Emiljano Shullazi dhe anëtarë të grupit të tij kriminal Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Zela dhe Endrit Qyqja, hyn në “41-bis” në gusht të vitit 2020, edhe pse për ta në atë periudhë nuk kishte një dënim të formës së prerë. Në vitin 2021 Apeli i Gjykatës së Posaçme rikonfirmoi vendimin e vitit 2018 të ish-Gjykatës për Krime të Rënda me një total prej 55 vjetësh dënim për tetë vepra penale, nga gjobëvëniet ndaj Ylvi Beqjas, Jani Zekës e Adriatik Kërçukut, kanosjes ndaj Dhori Kules dhe Mynyr Konit, e deri tek vënia e eksplozivëve dhe grupi i strukturuar kriminal. Bashkë me ta, në regjimin “41-bis” do të izolohej Arbjon Aliko, pjesë e grupit të Lazaratit, autor i ekzekutimit në 2015-ën i efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, i dënuar me burgim të përjetshëm. Në “41-bis” i radhës ishte Genci Balla, imami i vetëshpallur i Xhamisë së Unazës së Re, i dënuar me 17 vjet burg si kreu i një grupi që rekrutonte shqiptarë për të luftuar në Siri. 1 vit pas izolimit të grupit të parë të 7 personave në “41-bis”, kur dukej se do të riktheheshin sërish në qeli të zakonshme, fati nuk ishte i tillë për të gjithë. Emiljano Shullazi, Endrit Qyqja, Arbjon Aliko dhe Genci Balla do të mbaheshin edhe për një vit tjetër, duke lënë përfundimisht qelitë e posaçme vetëm në gusht të vitit 2022, 2 vite pas izolimit. Përgjatë kësaj periudhe nuk munguan greva e urisë, taktikat e padive nëpër gjykata për lirim dhe problemet shëndetësore.


