Në episodin e shtatë të sezonit të dytë të podkastit “Flasim”, kryeministri Rama ka ftuar një eksperte të marrëdhënieve ndërkombëtare e cila ka kryer studimet mes Shqipërisë dhe Italisë për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Marjana Koçekun
Pas përfundimit të studimeve, ajo ka zgjedhur të kthehet në Shqipëri, e cila është një sipërmarrëse e re që drejton Agroturizmin “Neomalësorja”
E pyetur nga kryeministri Rama pse zgjodhi marrëdhëniet ndërkombëtare, Marjana shprehet se gjithmonë i kanë pëlqyer marrëdhëniet me njerëzit dhe ka pasur dëshirë që të udhëtojë.
Më kanë pëlqyer gjithmonë marrëdhëniet me njeriun, për të folur, për të shkëmbyer eksperienca edhe më ka pëlqyer gjithmonë edhe për të udhëtuar. I gjeta marrëdhëniet ndërkombëtare edhe shkencat politike si një mundësi të mirë për të njohur edhe më shumë psikologjinë njerëzore, edhe për të patur më shumë mundësi për të njohur kulturat edhe në të ardhmen nëpërmjet profesionit, për të më dhënë mundësinë për të udhëtuar më shumë, por mbi të gjitha kisha një ideal brenda meje edhe një ëndërr si studente, për të mundur të bëja diçka për Shqipërinë në arenën diplomatike në atë kohë. Kisha ëndërr të bëhesha diplomate dhe ambasadore e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara”, shprehet Marjana.
Marjana gjithashtu tregon se jo çdo gjë ishte aq e bukur gjatë studimeve në Itali. Pavarësisht se ishte një studente ekselente, ajo bënte punë të ndryshme si kamariere, pastruese etj. Gjatë qëndrimit në Genova, asaj i mungonte Shqipëria dhe kjo ishte arsyeja pse u kthe.
“Ka dhe një anë të errët që unë kur kam qenë për shembull studente në Itali, kam punuar pavarësisht se kisha një bursë, më duhej të punoja pak si në të zezë në ato muaj që kam ndenjur për të fituar edhe të ardhura ekstra, për të patur mundësinë edhe për gjëra të tjera që më duheshin t’i kisha, edhe kam punuar punë të thjeshta, edhe pak kamariere, edhe pak pastruese, edhe pse isha 19-20 vjeçe. Dhe ti shikon që nuk është se ke ndonjë prioritet shumë të madh. Ti mund të jesh studente, mund të jesh duke studiuar, por që në fund të fundit ti je një pikë uji në oqean se aty ka edhe qindra, mijëra të tjerë si ti dhe nuk po i intereson fort askujt prezenca jote në atë konkurrencë që ka Evropa. Dhe e “zhvesha” pak Europën prej atij iluzioni, u ula pak me këmbë në tokë, duke e prekur më qartë dhe sa më shumë që udhëtoja, aq më shumë më merrte malli për Shqipërinë. S’e kisha menduar kurrë, se kam ikur me qëllimin për të gjetur një mundësi për të mos u kthyer më kurrë se më kishte kapur edhe mua antipatia për Shqipërinë, që mendoj se është bërë shumë sëmundje sociale përtej pamundësive ekonomike që njerëzit i shfaqin si arsyen kryesore të largimit.


