a i bërë ende 7 muaj në krye të komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj është vënë në pranga i akuzuar për bashkëpunimin me grupin kriminal, të ashtuquajturit “baroni i drogës”, Gëzim Çela.
Duke qenë se Çela, përveçse si baron droge dhe biznesmen, njihet edhe si një ish-efektiv i Policisë së Shtetit, lidhjet dhe njohjet mes tij dhe ish-kolegut Dritan Metaj të jenë të pashmangshme.
Në fakt, ky ka qenë argumenti që ka dhënë në Gjykatë dhe Prokurori, edhe Dritan Metaj, pasi u vu në pranga me bujë të madhe pas operacionit të Prokurorisë së Posaçme dy ditë më parë. Ai nuk e ka pohuar miqësinë me ish-kolegun e dikurshëm duke pranuar në një farë mënyre edhe akuzën e ngritur nga SPAK-u, që e akuzon shefin e Policisë së Kurbinit si bashkëpunëtor në trafikun e lëndëve narkotike që kryente grupi i Gëzim Çelës me bazë, sipas Policisë dhe SPAK në Fushë-Kuqe dhe në Patok.
Prokuroria dhe Policia pretenduan që në momentin kur deklaruan arrestimin e tij se kryepolici i Kurbinit ishte i dyshuar që në operacionin e parë dy muajsh, që u krye në lagunën e Patokut, ku policia mundi të arrestonte vetëm dy ukrainasit që i vunë flakën mjetit me të cilin udhëtonin dhe disa persona që po pinin kafe në lokalin që njihet si pronë e Gëzim Çelës, ndonëse jo e deklaruar.
Çela dhe dy persona të tjerë, sipas policisë mjaft të rëndësishëm në trafikun e narkotikëve, mundën të largohen dhe të mos kapen nga forcat speciale që mësynë Fushë-Kuqen atë natë, duke bërë të mundur edhe dyshimin se operacioni i tyre ishte dekonspiruar.
KRYEPOLICI I ARRESTUAR
Komisari i arrestuar i Kurbinit, Dritan Metaj, dyshohet se ka lëvizur me makinën e policisë, të ashtuquajturin “baron i drogës”, të kërkuarin Gëzim Çelën dhe anëtarë të tjerë të grupit. SPAK nuk ka afruar informacion zyrtar për këtë, por burime hetimore thonë se janë siguruar prova, mbi miqësinë e shefit të Kurbinit me Çelën e Fushë Kuqes.
Burime policore bëjnë me dije se Metaj kryente rolin e transportuesit të anëtarëve kriminal, duke shfrytëzuar postin e tij si komisar policie për t’i lëvizur pa i kontrolluar dhe dyshuar askush tek ata. Sipas të dhënave jo zyrtare, Metaj në dosjen e SPAK del me rol të rëndësishëm të trafikut të drogës, vijimësi e operacionit “Flakë në Det”, i nisur që në 15 gusht të këtij vitit.
Dyshohet se për Metën dhe Çelën janë zbuluar dhjetëra komunikimeve në celular, një pjesë e të cilëve u sekuestruan pasi u kap veliera në det duke u djegur. Mes tyre janë gjetur biseda të shumta të Metajt me Gëzim Çelës dhe 2 personave të tjerë të shpallur në kërkim. Megjithatë, me urdhër të SPAK, janë kryer përgjime të tjera në javët e fundit, të cilat kanë dhënë prova mbështetëse për dokumentimin e veprimtarisë kriminale.
Prova mbështetëse për dokumentimin e veprimtarisë kriminale u siguruan edhe përmes përgjimeve dhe vëzhgimeve në terren, me urdhër të SPAK. Dje GJKKO, me anë të një njoftimi zyrtar për mediat konfirmoi masën “arrest në burg” për Metajn ,i cili është dorëzuar në momentin që u përball me provat e hetuesve: “E kam takuar Gëzim Çelën vazhdimisht për shkak të njohjeve me të që në kohën kur punonte në Policinë e Shtetit. E di që kam gabuar, por kjo ka ndodhur për shkak të marrëdhënie shoqërore që kishim dhe nuk e shmangia dot”, – ka thënë Metaj në gjykatë.
Prokurorët e çështjes bëhet me dije se kanë dyshime të përfshirjes së Gëzim Çelës edhe në tentativën për të trafikuar një sasi prej 41.7 kg heroinë, e cila u kap më 1 prill 2023 në afërsi të Rinasit. Në atë periudhë u arrestua 31-vjeçari Armando Papa, kurse shoqëruesi u largua. Papa dyshohet se ishte pjesë e të njëjtit grup kriminal që kryesohej nga Çela dhe droga e ardhur nga Turqia.
Nga 4 urdhër-arreste të firmosura dhe nga GJKKO, policia ekzekutoi vetëm 1, atë të shefit të komisariatit Kurbin, Dritan Metaj. 3 të tjerët, Gëzim Çelaj, Arben Dalipaj dhe Roland Guza, rezultojnë të jenë larguar nga vendi pas operacionit “Flakë në Det”.
Arrestimi dhe vendimi i gjykatës
Policia e Shtetit zbarkoi mbrëmjen e 9 tetorit 2023 në Fushë-Kuqe për ekzekutimin e 4 urdhër-arresteve të SPAK dhe përveç arrestimit të kreut të Komisariatit Kurbin dhe shpalljes në kërkim të Gëzim Çelës, u shpallën në kërkim edhe Arben Dalipaj nga Vlora dhe Roland Guza nga Durrësi, të cilët dyshohet se janë larguar më herët jashtë vendit.
Operacioni ishte një vijim i atij të 15 gusht 2023. Gjykata e Posaçme lë në fuqi masën e sigurisë për Dritan Metaj, shefin e komisariatit të Kurbinit i arrestuar se bashkëpunoi me grupin e trafikantëve të drogës pjesë e së cilës është dhe Gëzim Çela.
Mësohet se në gjykatë Metaj ka pranuar njohjen dhe takimet me Gëzim Çelën dhe i ka argumentuar me njohjen e mëparshme që ka pasur me të. Ndërsa ka pranuar fajësinë.
“Kam bërë gabim por e kam bërë pasi e njihja më herët dhe nuk e shmangia dot”, – ka thënë Metaj.
VENDIMI I GJKKO-S
Gjykata, në seancë gjyqësore të zhvilluar në prani të palëve në proces, pasi dëgjoi kërkimet dhe pretendimet e tyre, mori dhe vlerësoi aktet e depozituara prej tyre: Gjykata, në bazë të neneve 228, 229, 230, 232, 238, 244, 246 e 248 të Kodit të Procedurës Penale, kjo gjykatë, pasi formoi bindjen dhe në mbështetje të provave të shqyrtuara në këtë gjykim:
– Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
– Vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me vendimin nr. 110 datë 08.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Dritan Metaj si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
– Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.
– Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, brenda afatit ligjor.-panorama


