Detaje të reja nga ekzekutimi i Laert Kekës ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës. Burime nga grupi hetimor të cilave i referohet Report Tv bëjnë të ditur se ndaj 41 vjeçarit është qëlluar me dy armë, një pistoletë me silenciator dhe një kallashnikov.
Mendohet se në makinën nga ku është shtënë kanë qenë tre persona. Njëri qitës ka qenë në vend të parë të makinës dhe tjetri prapa, informon gazetari i Report Tv, Armand Xhelili. Mësohet se viktima ka marrë 6 plumba në kokë e në trup.
Rrethanat e ngjarjes nuk janë ende të qarta, por Keka ka qenë duke lëvizur me një motor kur është qëlluar nga mjet me targa italiane pranë bibliotekës në Vlorë. Report Tv ka mësuar se 41-vjeçari pasi është plagosur është rrëzuar nga motori dhe është ngritur në këmbë për t’u larguar. Ai ka ecur rreth 100-150 metra deri tek Kisha Ortodokse, por është ndjekur nga autorët, qe e qëlluar sërish për t’u siguruar që 41-vjeçari të vdiste. Më pas autorët janë larguar dhe mjetin e kanë djegur në fshatin Kotë.


