Zbardhen te tjera detaje nga dosja e SPAK për megaoperacionin “Metamorfoza”, në sajë të të cilit u lëshuan 15 urdhër arreste.
Mes të arrestuarve për operacionin Metamorfoza është edhe Oltion Bistri, polic me një karrierë të gjatë, që në vitin 2020 ishte shef i komisariatit nr.2 në Tiranë. Pikërisht në zonën e tij, biznesmeni Pëllumb Gjoka kishte një kazino, që nuk lejohej nga ligji dhe për të cilën, sipas përgjimeve në dosjen e SPAK ishte ankuar vetë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi.
Por Oltion Bistri si shef i komisariatit, refuzonte ta mbyllte kazinonë, “jo për 1500 eurot” që i përmend Pëllumb Gjokës, por për hir të fjalës që kishte dhënë. Në përgjimet e SPAK del disa herë emri “Rebani”, me të cilin Bistri thotë se komunikon vazhdimisht për çështjen e kazinosë, madje edhe për një “Ardi”, tjetër polic që përmendet në komunikimet mes tij dhe Pëllumb Gjokës.


