Debatet kanë shoqëruar edhe këtë seancë parlamentare, ku janë përplasur deputeti Flamur Noka dhe ministrja për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi.
Noka ka ngritur zërin në Kuvend për aplikacionin “Aktivisti”, i cili sipas tij është një aplikacion kriminal dhe se punonjësit e administratës po detyrohen të bëhen pjesë e tij duke i kërcënuar me vendin e punës.
“75 mijë punonjës të shtetit shqiptar e kanë shkarkuar këtë aplikacion. Këta punonjës çfarë janë? A ka dijeni zonja që drejtorët, ministrat i kanë terrorizuar punonjësit e shtetit për të plotësuar me detyrim ose për t’u larguar nga vendi i punës në administratën shtetëore.
Koncepti i Aktivistit bën në 1 punonjësin e shtetit me militantin e partisë. A është ky standarti i Administratës Publike? Nënpunësi civil si term është i likujduar dhe mbetet vetëm në letra, pasi me Rilindjen në pushtet është shndërruar në militant, qoftë me dëshirë apo jo. Është gjë e thjeshtë të vish e të flasësh dokrra këtu. Por termi DAP në Shqipëri është inekzistent”-tha Noka.
Nga ana tjetër, ministrja Ekonomi iu përgjigj duke thënë se aplikacioni ‘Aktivisti’ mund të përdoret nga secili person dhe se nuk ka lidhje me kontrollin e punonjësve të administratës publike.
“Aktivisti nuk ka lidhje me systemin që menaxhon DAP. Përderisa kemi 75 mijë persona që e kanë shkarkuar do të thotë se është i sukeseshëm. Mund të jesh edhe anëtar i PD dhe të hysh në aplikacion. Ata që e shkarkojnë e bëjnë sepse aty tregohet për aktivitetet që bën PS”, -tha Ekonomi.


