Blerta Kadzadej, Konsull i Shqipërisë në Stamboll, është prezantuar sot në Komisionin për Politikë të Jashtme në Kuvend për postin e diplomates. Ajo ka prezantuar veten para deputetëve, ndërsa për të marrë postin duhet besimi i tyre dhe i Presidentit të Republikës.
Blerta Kadzadej, për ambasadore në Turqi
Blerta Kadzadej është diplomuar tre dekada më parë për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Tiranës. Gjithashtu zotëron një Diplomë MBA, nga Fakulteti i Ekonomisë në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës.
Ajo shërben prej katër vitesh si Konsull i Përgjithshme i Shqipërisë në Stamboll nga korriku 2019, ndërsa më parë ka qenë Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve Ekonomike dhe Mbështetëse në Ministrinë e Punëve të Jashtme midis 2013 dhe 2019.
Blerta Kadzadej ka shërbyer dhe si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve midis viteve 2004 dhe 2006, si dhe në disa poste të larta në projektet e Shqipërisë me USAID.

Ridi Kurtezi, për ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe
Ambasadori i Shqipërisë në Malin e Zi, Ridi Kurtezi është propozuar nga qeveria shqiptare që të marrë postin e diplomatit dhe të përfaqësojë vendin tonë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai ka ndjekur studimet në Shqipëri dhe jashtë saj, ndërsa në diplomaci ka një karrierë të zgjeruar.
Në vitin 1997, Kurtezi ka qenë ekspert për Çështjet e Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për të vijuar më pas në vitin 2001 si Sekretar i Dytë në misionin e Përhershëm Shqiptar në Vjenë – Austri.
Tre vite pas detyrës së parë në diplomaci, Ridi Kurtezi është rikthyer përsëri si ekspert në Departamentin e NATO-s, në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Shqipëri.
Ka qenë këshilltari në Ambasadën e Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, më pas si I Ngarkuari me Punë i Republikës së Shqipërisë po në këtë vend. Në vitin 2010, Ridi Kurtezi është emëruar Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Katarit dhe katër vite më vonë, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës.
Prej vitit 2018, ai është ambasador i Republikës së Shqipërisë në Malin e Zi.

Ilir Gjoni, për ambasador në NATO
Edhe emri tjetër për ambasador, ai i Ilir Gjonit, është ndër më të spikaturit në diplomacinë dhe politikën shqiptare. Ai ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë në vitin 2000 si dhe ministër i Brendshëm i Shqipërisë gjatë periudhës 12 shtator 2001 – 29 janar 2002.
Aktualisht, Gjoni përfaqëson Republikën e Shqipërisë në Zvicër dhe në Principatën e Litenshtejnit. Vendin që pritet të mbetet bosh pasi ai të marrë “dritën jeshile” për në NATO, pritet ta marrë analisti dhe gazetari Mustafa Nano.
Ilir Gjoni lindi në Tiranë më 20 Prill 1962 dhe është diplomuar në vitin 1985 nga Universiteti i Tiranës, për Gjuhën Angleze.
Ai ka një diplomë Master në Diplomaci, e fituar në Akademinë Mesdhetare të Studimeve Diplomatike, dhe një diplomë në Çështjet e Sigurisë Kombëtare, në Shkollën Pasuniversitare Detare Monterey, Kaliforni.
Ilir Gjoni ka pothuajse tridhjetë vjet përvojë në institucione të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare. Ai ka punuar në diplomaci për gati dhjetë vjet, ka qenë gazetar dhe ka punuar si redaktor i lajmeve ndërkombëtare në një nga gazetat më të mëdha të pavarura të vendit Koha Jone.
Përvoja e punës së Gjonit përfshin gjithashtu një periudhë relativisht të gjatë si zyrtar i lartë qeveritar, duke shërbyer si Shef i Shtabit të Kryeministrit (1999-2000), si dhe si Ministër i Mbrojtjes dhe i Brendshëm përkatësisht (2000-2002) dhe si ligjvënës (2001- 2005; 2009-2013).

Mustafa Nano, për ambasador në Zvicër
Mustafa Nano është gjithashtu një nga emrat e propozuar nga qeveria shqiptare për ambasador në Konfederatën e Zvicrës. Nëse merr besimin e deputetëve dhe presidentit Bajram Begaj, ai pritet të zërë vendin e diplomatit Ilir Gjoni.
Me një karrierë të gjatë në gazetari, por edhe autor i tre librave, Mustafa Nano nuk ka marrë kritika në Komisionin e Politikës së Jashtme në Kuvend, gjatë prezantimit të sotëm. Deputeti Agron Gjekmarkaj e ka vlerësuar lart figurën e tij, dduke thënë se është një nder për vendin që një njeri i librave propozohet për ambasador.
Ndërkohë, vetë Nano tha se e kishte lënë dikur diplomacinë për gazetarinë, e ndërsa tani duhet të lërë të dytën për të parën.

// Newsbomb Albania


