Albi Muhollari, i riu 24-vjeçar i cili mbyti të ëmën me qese plastmasi ka dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. I riu ka hyrë i shoqëruar nga një sërë policësh në ambjentet e gjykatës. Ditën e djeshme, i riu ka qenë në gjendje shoku.
“Çfarë ishte kjo që bëra”?! Kjo ka qenë fjalia e vetme që ka artikuluar Albi Muhollari teksa shoqërohej në polici për mbytjen e nënës së tij, Zeniat Muhollari, me qese plastmasi në Përmet mbrëmjen e 3 qershorit 2023.
24 vjeçari (në foto) ishte kthyer vetëm pak ditë më parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku kishte përfunduar studimet me rezultate të larta për Inxhinieri Kompjuterike në Dearborn, Michigan, Shtetet e Bashkuara.
Çifti Muhollari dhe djali i tyre kishin rreth 3 ditë që ishin kthyer nga Amerika në Përmet për të kaluar pushimet verore. I biri, 24-vjeçari Albi Muhollari dyshohet se për shkak të gjendjes së tij depresive, mbyti të ëmën me plastmas. Për ngjarjen e rëndë i ati bën fajtor doktorin e spitalit të Përmetit, i cili nuk e mbajti të birin të shtruar aty. Mesa duket, të dy kanë qenë në dijeni të gjendjes shëndetësore të të birit dhe u përpoqën ta ndihmojnë që të kurohej. Megjithatë, duke qenë se doktori nuk e mori përsipër rastin, as policia nuk e merrte dot pasi do duhej firma e mjekut.
Krimi i rëndë në familje ndodhi mbrëmjen e së shtunës, 3 qershor 2023, mes tyre dhe djalit ka pasur një debat që përfundoi në tragjedi.


