Pritet që kjo javë të jetë vendimtare për fatet e PD zyrtare.
Sot dhe nesër do të zhvillohen dy mbledhje shumë të rëndësishme të strukturave politike të kësaj force.
Gazment Bardhi, i cili tashmë mban dy postet më të rëndësishme në parti pas kryetarit, atë të Sekretarit të Përgjithshëm dhe kreut të grupit parlamentar ka thirrur sot deputetët dhe nesër kryesinë e PD, me qëllim vlerësimin e situatës politike, e veçanërisht hapat që duhet të marrë PD në ringritjen e saj, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të ri.
Diskutimi kryesor pritet të jetë pikërisht hapja e garës për këtë të fundit në një kohë kur ekipi drejtues i PD është i ndarë në 2 qëndrime kryesore, i pari që PD të futet në garën për kryetarin sa më shpejt, duke vulosur përfundimisht ndarjen me PD e Rithemelimit, që vijon të drejtohet nga Sali Berisha edhe pse KQZ nuk e legjitimoi si kryetar.
Grupi tjetër, kërkon më shumë kohë për këtë proces, duke kërkuar fillimisht kohën e nevojshme të reflektimit dhe lënies hapësirë për të tjera negociata bashkimi me PD e Rithemeluar, e më tej drejtimin përmes një organi kolegjial të dy PD-ve deri në zgjedhjen e kreut të ri. Të tillë deputetë janë: Lefter Gështenja, Dashnor Sula, Ferdinand Xhaferraj por edhe nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, e cila ende nuk është shprehur nëse do të pranojë rolin e kryetares së komanduar.


