Në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës u inaugurua sot Akademia e Çiklizmit, një hapësirë e standardizuar e stërvitjes dhe garave për të vegjlit. Përveç pistës prej 280 metrash, në këtë hapësirë ka edhe kënde të tjera lojërash dhe hapësira për fëmijë, në mes të parkut të gjelbër të Tiranës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inauguroi në ditën e fëmijëve Akademinë e parë të Çiklizmit, u shpreh se çdo vit Bashkia e Tiranës ka surprizuar më të vegjlit me një projekt të ri për 1 Qershor.
“Stacionet më të rëndësishme të bashkisë i kemi të lidhura me 1 Qershorin. Beteja jonë e madhe e parë ka qenë për parkun e fëmijëve. Pastaj, 1 Qershorin e kaluar hapem Kopshtin Zoologjik. 1 Qershorin përpara hapem Parkun Rinia dhe më rezultojnë se të gjitha kanë qenë projekte të debatuar.a Sikur gjithë këtë energji që harxhojmë duke penguar njëri-tjetrin, ta çonim për të krijuar një qytet dhe një hapësirë më të mirë për fëmijët, do kishim ecur edhe më shpejt. Për sa kohë që çdo 1 Qershor hapet një tjetër hapësirë për fëmijët, pas parkut Rinia, këndit të lodrave, këndi TIKA, Kopshtit Zoologjik, tani kemi këtë stacion këtu, unë besoj se vërtet duhet të mësohemi me logjikën që çdo vit të jemi pak më mirë se ç’ishim vitin tjetër,” u shpreh Veliaj.
Kryetari i Bashkisë njoftoi gjithashtu se së shpejti merr jetë projekti i përbashkët me GIZ dhe KFW për transportin e shpejtë publik në Tiranë.


