Ky është Florian Gjergji, 39-vjeçari i shpallur në kërkim që në 10 janar 2023 si autor i mashtrimit të biznesmenëve, të cilëve u shkruan në aplikacionet e komunikimeve duke u shtirur si pesona të njohur të politikës dhe me poste shtetërore.
Ai është provuar se ka mashtruar të paktën në 3 raste dhe dyshohet edhe për një rast të katërt të fundit. Gjergji përdor skemë identike për mashtrimin në çdo rast, duke pajtuar persona të tjerë që u premton para për të marrë porositë.
Hetimet zbuluan se Gjergji përdorte skemë të njëjtë për mashtrimin në çdo rast duke pajtuar edhe persona të tjerë të cilëve u premtonte para për të marrë porositë.
Por, çfarë skeme vinte në jetë Florian Gjergji për të mashtruar biznesmenët?
Fillimisht 39-vjeçari i dërgon “presë” një mesazh. Tek biznesmenë të ndryshëm ai përdor taktika të ndryshme komunikimi. Në rastin e tentativës për të mashtruar pronarin e “Everest”, Florian Gjergji, përmes një aplikacioni komunikimi me numër me prefiks të Britanisë së Madhe, u prezantua si zyrtar i tatimeve. Kur tentoi të mashtronte pronarin e një kazinoje u prezantua në emër të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame, ndërsa në rastin e fundit për biznesmenin Ramë Geci u prezantua si kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Siç duket, Florian Gjergji, ka informacione të detajuar të marrëdhënieve të biznesmenëve edhe me politikanë, çfarë shton dyshimet e hetuesve se pjesë e grupit janë edhe disa persona të tjerë informatorë. Për komunikimin me sipërmarrësit, përdoren aplikacione që aksesohen përmes interntit, si telegram apo signal, ku për hapjen e tyre përdoren platforma VPN që maskojnë vendndodhjen e mashtruesit.
Edhe pse është ai dërguesi i mesazheve dhe ideatori i tyre, për të realizuar misionin Florian Gjergji nuk vepron vetë në terren. Ai lidhet me persona të tjerë, të cilët i njeh dhe u kërkon të shkojnë për të marrë paratë duke ua paraqitur këtë kërkesë si nder apo veprim miqësor. Në rastin e fundit ku tentoi të mashtroj Ram Gecin, pasi Florian Gjergji ishte prezantuar si Erion Veliaj dhe se kishte nevojë për 100 mijë euro, kishte pajtuar Bedri e Albert Vodhën, të shkonin të merrnin paratë që t’ia dërgonin në Gjermani. Sipërmarrësi Geci e kuptoi shpejt skemën e mashtruesve dhe njoftoi policinë. Geci ia kaloi komunikimin agjentëve të policisë të cilët kërkuan uljen e shumës në 70 mijë euro dhe lanë takim në qendër të Tiranës, aty ku u prangosën babë e bir. Edhe pse tashmë janë arrestuar në total 8 bashkëpunëtorë të Florian Gjergjit, personi i konsideruar si truri i grupit ai nuk është kapur. Burime të Report Tv bëjnë me dije, se këto janë rastet e provuara të mashtrimit të tij, por ai dyshohet se ka bërë edhe tentativa të tjera, duke mashtruar në emër të kryebashkiakut aktual të Laçit, apo ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi.


