Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku në një deklaratë për mediat, zbardhi detaje për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, më 19 Prill në Shëngjin.
Ai tha se janë siguruar prova biologjike të pakundështueshme, që i përkasin autorit të kësaj ngjarje të rëndë.
Nga provat janë caktuar masat e sigurisë për 6 persona. Një shtetas me kombësi shqiptare dhe britanike, një portugez dhe 4 britanikë, mes tyre një vajzë.
Autorët sipas Rrumbullakut, janë larguar nga territori shqiptar.
Sa i përket motiveve, kreu i Policisë së Shtetit tha se pas saj qëndron gjakmarrja.
Sa i takon ekzekutorit, Rrumbullaku konfirmoi se ai është shtetasi portugez.
“Në lidhje me sigurimin e provave ju garantoj se kemi siguruar prova të plota që definitojnë plotësisht autorësinë, rolet e personave të dyshuar. Jemi në një fazë të dytë në terren me partnerët për kapjen e tyre”, shtoi kreu i policisë.
Deklarata e plotë:
Jemi sot këtu, për të komunikuar veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjes së rëndë kriminale, të ndodhur në qarkun e Lezhës.
Ashtu siç ju kemi bërë me dije, në Shëngjin, më datë 19.04.2023, rreth orës 13:25, në ambientet e lokal “Coral”, është vrarë me armë zjarri, shtetasi Ardian Nikulaj, 51 vjeç, banues në Shëngjin, Lezhë.
Mënjëherë pas ngjarjes së ndodhur, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga strukturat vendore dhe qendrore të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, me qëllim dokumentimin dhe zbardhjen e autorësisë dhe kryerjen së veprimeve procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.


