Tetë anëtarë të një grupi kriminal kanë rënë në pranga pas një operacioni të zhvilluar nga Policia e Durrësit, për të goditur shpërndarjen e kokainës në këtë qytete. Nga ky operacion është sekuestruar drogë e llojit kokainë, makina luksoze dhe shuma parash në euro e paund.
Operacionet “Foremost” dhe “Last deal” janë zhvilluar pas një hetimi 6 mujor, ndërsa 8 të arrestuarit janë anëtarë të dy grupeve kriminale. Ata shpërndanin kokainë në lokalet e natës në Durrës. Katër prej tyre shpërndanin kokainë në Sukth, ndërsa katër të tjerë të Durrës.
Në pranga ka rënë furnitori Goni Muça, 48 vjeç. Ai rezulton i dënuar më parë, ndërsa përdorte edhe tre emra të tjerë, Gentjan Lici, Gentjan Muça, Gentjan Ferra. Të arretsuar janë edhe Tani Muça, 43 vjeç, i cili po ashtu rezulton i dënuar më parë, Amonali Halili, 24 vjeç, Ergi Curri, 25 vjeç, Gentian Konesha, 23 vjeç, dhe Stivens Bulku, 24 vjeç. Mes të arrestuarve është edhe një vajzë Kristel Balla, 24 vjeçe, edhe një mitur, A. V., 17 vjeç.
Gentian Muça furnizonte me kokainë anëtarët e tjerë të grupit kriminal, të cilët pasi e blinin lëndën narkotike, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e shpërndanin në zonën e Sukthit dhe të Durrësit, si dhe në lokalet e natës, në qytetin e Durrësit.
Gjithashtu, për ndarjen e lëndës narkotike, ata kishin përshtatur ambiente të posaçme në lokalet e tyre, konkretisht në lokalin e Gentian Muçës në zonën e Sukthit, dhe në lokalin Ergi Currit në një lagje në Durrës.
Çfarë u sekuestrua?










– 1 pako me kokainë, me peshë 130 gramë;
– 40 doza me lëndë narkotike të llojit kokainë;
– 3 automjete, 2 prej tyre luksoze;
– 96 mijë lekë të rinj dhe disa shuma në euro, franga dhe paund;
-3 peshore elektronike që shërbenin për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në doza të vogla, 1 dorezë hekuri dhe 14 aparate celulare.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”. Shqiptarja.com



