Kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla u vu në pranga ditën e sotme me urdhër të SPAK. Ai akuzohet për korrupsion dhe abuzime me tenderat publikë.
Por kjo nuk është hera e parë që Alla vihet në qendër të akuzave publike gjatë detyrës si kryebashkiak i Bulqizës.
Pak vite më parë në media qarkulloi një video ku thuhej se Alla shfaqej duke konsumuar lëndë narkotike, kokainë në një lokal.
Më vonë nga përgjigjet e analizave të kryera pranë laboratorit të policisë shkencore rezultoi se nuk ishte konsumues i lëndëve narkotike. Duke iu përgjigjur akuzave, Alla theksoi në atë kohë se e gjitha është një video montazh.
Nga ana tjetër në tetor të vitit 2019, policia vuri në pranga djalin e Lefter Allës i cili u kap me lëndë narkotike në makinë.
Ai u la nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndërsa në atë kohë u raportua se Alla shfaqi rezistencë në momentin e arrestimit duke i treguar efektivëve se është djali i një kryetari bashkie.


