Kohë të vështira, të cilat bëhen edhe më të vështira.
Ky ka qenë përkufizimi, të cilin kryeministri shqiptar, Edi Rama, e ka dhënë gjatë një interviste ekskluzive për median malazeze A Plus TV.
Duke e njëhsuar si “një fat të keq”, për çfarë po i ndodh radhazi kontinentit të vjetër, prej pandemisë e deri tek pasojat e luftës tashmë, ndër të cilat më e ndjeshmja, ajo e krizës energjetike.
“Më duhet të them se për ne në Ballkanin Perëndimor situata është edhe më e vështirë sepse fqinjët dhe miqtë tanë brenda Bashkimit Evropian kanë mundësi të përdorin paketa dhe fonde speciale për rimëkëmbje”, shprehet Rama.
Një pasthirrmë e njohur ndihme nga i gjithë rajoni karshi “vëllait të madh” kontinental, e përsiatur vijimësisht, me qëllim integrimin – edhe pse jo formal – faktik dhe funksional të gjashtë vendeve.
Me luftën nëpër këmbë, Evropa po lëviz më shpejt, jo thjesht për të “shpëtuar” fqinjin e vogël, por mbi të gjitha veten.


