Në Shqipëri, praktika ka treguar se po nuk ngjite me të parën garë zgjedhore sic kanë bërë (LSI me Metën, PDR me Pollon apo dhe PDS me Paskal Milon), në zgjedhjet e dyta e të treta nuk mund tia dalësh dot, ashtu sic askush nuk ia ka dalë deri më sot.
Sot, kryetari i LIBRA-s, Ben Blushi, dha dorëheqjen nga posti i kryetarit dhe sipas tij, vendosi të hiqte përkohësisht, politikën nga “artet” e tij.
Kjo erdhi si pasojë e rezultatit të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ku Libra nuk arriti të fitonte asnjë mandat deputeti.
“Lista e barabartë”, në thelbin e saj, edhe pse një parti e brishtë apo e vogël arriti të hynte në zgjedhje dhe të merrte në vetëm 7 muaj lëvizje, 20.000 mijë vota në të gjithë Shqipërinë. Edhe pse u quajt surprizë, nuk ia doli të ishte pjesë e parlamentit dhe të përfaqësonte votuesit e saj.
Mësohet se momentalisht, Blushi ia ka lënë partinë “në dorë”, nënkryetarit të zgjedhur por nëse këtë nuk e arriti vetë ai, vështirë se një i panjohur ende për popullin, mund t’ia dalë ti mbijetojë “xhunglës së egër” të politikës sonë ballkanike.
Megjithatë, rasti i Blushit dhe Libras nuk është i vetmi.
Para zgjedhjeve të qershorit, Kreshnik Spahiu njoftoi se nuk do të ishte më Kryetar i “Aleancës Kuqezi”.
Kjo erdhi si pasojë e shumë arsyeve por konkretja ishte goditja që mori nga Basha dhe “çadra”, edhe pse ai vetë ishte pjesë e saj. PD nuk e futi në listat e saj të kandidimit për një vend të sigurt në Parlamentin e ri siç bëri me Mediun, Ndokën dhe Dash Shehin.
Pas largimit të tij, lëvizja duket se pësoi një tkurrje duke mos u shfaqur më në skenën politike. Madje Spahiu, sipas postimeve që bën vetë në rrjetet sociale duket se jeton edhe jashtë Shqipërisë, nëpër Europë.
Bamir Topi, është një nga shembujt e atyre kryetarëve të partive të vogla, që e vazhdojnë aktivitetin e tyre partiak, por që nuk bën aktivitet vijues intensiv apo të përfshihen në kauza dhe bëhen të dukshëm vetëm në afrimin e zgjedhjeve.
Sido të jetë, mundohen që atë njëherë të bëjnë sadopak bujë, sic ishte rasti i Topit në zgjedhjet e qershorit ku nuk kandidoi vetë për deputet por vuri të parin në listën e Tiranës, Gazmend Oketën. Shenjë kjo se praktikisht Topi është tërhequr tashmë nga politika aktive.
Agron Duka dhe PAA, e tij duket se po kalon në një moment “reflektimi”.
Thënë kjo pasi edhe pse në zgjedhjet e fundit mori pjesë si “aleat” i PD-së në zonën humbëse të listës së qarkut të Durrësit, muajin e fundit duket i lëkundur mbi këtë vendim.
Duka duket se ka shprehur dëshirën e krijimit të një “poli të tretë”, ku në një nga shkrimet e tij të fundit postoi foton krah Blushit, Topit, Ndokës, e Shehit pas një dreke ku vera e kantinës së tij, sigurisht që nuk mungonte. Postim i cili të linte shijen se diçka po përgatitej, por deri tani po rezulton se ka qënë as më pak e as më shumë se një drekë mes miqsh.
Koço Kokëdhima, dhe “Zgjidhja”.
Është e vështirë të flasësh për këtë parti, pasi vështirë se arrin të njihet dikush tjetër përveç Koços. Ky i fundit e thotë vazhdimisht se po “Zgjidhja” po ia del të ngrijë struktura në të gjithë Shqipërinë, gjë që duket e vështirë pasi prezenca e tij në politikën reale të ditëve të sotme është në perceptimet minimale.
I fundit, por jo për nga rëndësia, Eduard Ndocaj dhe partia e tij “Emigracioni shqiptar”.
E padëgjuar, pak e përfolur dhe me aktivitet zero në politikë, përsëri ia del të “mbijetojë”. Për aq kohë sa ka shpresë. Duke filluar që tani të na ftojë nëpër “sondazhe” ku të votojmë vritualisht se kë populli mendon se do të jetë kryetari i ri më i mirë për bashkinë e Lezhës për zgjedhjet e përgjithshme lokale të 2018. Pra, një parti e emigracionit, që tentoi politikën kombëtare e tani po mundohet të tregojë se do ishin të kënaqur që “kaubojsi” të qeverisi qytetin e vendvarrimit të Skënderbeut. Interesante!
Të gjithë shembujt lart, konkretizojnë akoma më shumë faktin se, ose merr deputet e futesh në Parlament me të parën garë elektorale, duke krijuar fryme e pritshmëri, ose “NGEC”. Sepse edhe vetë ndjekësit janë bërë gjithnjë e më pragmatistë. Nuk presin dot edhe 4 vite të tjera… Tani nuk po presin më as Kryetarët e këtyre partive. Blushi nuk ishte i pari që erdhi, provoi, humbi dhe iku. E sigurtë është që nuk do të jetë as i fundit. E ashtu si jeta, edhe politika vazhdon. Të tjerë pritet të dalin në skenë. Për të vijuar ciklin që nuk ndalet me sa duket, asnjëherë.
Përgatiti: AlpeNews.al








