Ceremonia e ndarjes së certifikatave për fituesit e konkursit të pikturës “Shqipëria Ime” nuk ka shkuar siç duhet dhe është dashur vetëm një çast që t’i hiqte shkëlqimin aktivitetit me nxënës ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama.
Gati në fund të ceremonisë, kryeministri Edi Rama ka kërkuar foto me të gjithë të pranishmit, teksa një vajzë e vogël nga Berati ka gjetur momentin dhe i është afruar duke i treguar shqetësimin e saj.
Ajo tha se ka 3 vjet pa shkollë dhe ka shprehur dëshirën të ketë një shkollë në fshatin Goriçan, ku dhe ajo jeton.
Vajza e vogël fillimisht prek në shpatull kryeministrin Rama dhe i flet me zë të ulët, teksa kryeministri pasi dëgjon fjalinë e parë largon vëmendjen dhe më tej me vajzën flet ministrja Kushi.
“Kam tre vjet që nuk kam shkollë, kam shumë dëshirë që shkolla jonë të bëhet. Nga Berati, Goriçani,”– thotë vajza.
Kushi përpiqet ta sfumojë vajzën dhe ta përcjellë duke i thënë se po punohet. Pas kësaj vajza spostohet nga vendi./BW


