Bashkimi Evropian miratoi 18 miliadë Euro ndihmë për Ukrainën për vitin e ardhshëm dhe një paketë të re sanksionesh ndaj Moskës. Udhëheqësit e BE-së e bënë njoftimin në takimin e fundit të nivelit të lartë për këtë vit.
BE-ja thotë se marrëveshja për 18 miliardë euro për vitin e ardhshëm, tregon angazhimin e bllokut ndaj Ukrainës.
“Bashkimi Evropian e ka mbështetur financiarisht Ukrainën këtë vit me 19.7 miliardë euro. Dhe përsëri falë presidencës çeke, sot u miratua propozimi ynë për 18 miliardë euro shtesë për vitin 2023. BE-ja është në krye të mbështetjes për fqinjin e saj, ashtu siç duhet të jetë dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kancelari gjerman Olaf Scholz u bëri jehonë komenteve të udhëheqësve të bllokut, duke thënë se vendet e BE-së mbështesin me vendosmëri sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Ne theksuam edhe një herë se strategjia e mbrapshtë ruse për të shkatërruar infrastrukturën e Ukrainës dhe për të ekspozuar qytetarët e saj ndaj të ftohtit brutal të dimrit nuk duhet të jetë e suksesshme – dhe nuk do të jetë e suksesshme. Vendosmëria jonë e përbashkët për të mbështetur Ukrainën politikisht, financiarisht, ushtarakisht dhe në fushën humanitare për aq kohë sa është e nevojshme, mbetet e palëkundur”, tha ai.
Udhëheqësit e BE-së ranë dakord gjithashtu për një paketë të nëntë sanksionesh kundër Moskës, për të vendosur në listën e zezë gati 200 persona të tjerë dhe për të ndaluar investimet në industrinë minerare të Rusisë.


