Pritet të merret vendimi mbi të riun kinez Liangbin Chen, i cili është në pritje të verdiktit për ekstradim apo jo drejt Kinës.
Prokuroria shkaktoi skandal kur kërkoi ndryshimin e masës së arrestit nga me burg, në arrest shtëpie.
Liangbin Chen, me profesion programues kompjuterik rezultonte në kërkim ndërkombëtar dhe akuzohej për “Mashtrim me pasoja të rënda”. Ai u arrestua në aeroportin e Rinasit rreth orës 14:00 të datës 11 korrik të këtij viti gjatë kontrolleve të pasagjerëve të linjës ajrore “Air Albania”, në fluturimin Londër-Tiranë.
Shtetasi kinez u arrestua për qëllime ekstradimi për arsye të masës së sigurimit “arrest në burg”, lëshuar nga autoritetet kineze pasi ai njihet si kreu i një grupi kriminal që ka realizuar grabitjen me mashtrim me vlerë rreth 145 milionë euro.
Ndaj tij fillimisht Gjykata e Tiranës la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, por Chen kërkoi zbutjen e saj dhe largimin nga qelia, për shkak se pretendonte që kishte sëmundje në kokë. Çështja shkoi në Apel dhe gjykata vendosi masën “Arrest shtëpie” për shtetasin kinez, me arsyetimin se i rrezikohej jeta në qelinë e burgut.
NJOFTIMI
Sikurse është raportuar më herët, në datë 29.09.2022, nga Gjykata e Apelit Tiranë :
Komisariati i Policisë Rinas, më datë 11.07.2022, rreth orës 14:00, gjatë kontrolleve të pasagjerëve të linjës ajrore “Air Albani” Londër-Tiranë, ka arrestuar në sportelet e hyrjes shtetasin me iniciale L.Ch, për qëllim ekstradimi për arsye të masës së sigurimit “arrest në burg”, lëshuar nga autoritetet kineze, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest ne burg”, ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale L.Ch, për efekt ekstradimi.
Me vendimin nr. 1563 Akti, datë 14.07.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi:
-Vlerësimin si të ligjshëm të arrestit të shtetasit me iniciale L.Ch.
-Caktimin si masë sigurimi personal ndaj shtetasit L.Ch, “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 283 dhe 495-të K.Pr.Penale, lidhur me procedurat e ekstradimit sipas kërkesës së autoriteteve kineze.
Ky vendim nuk është ankimuar.
Në vijim, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me kërkesën e bërë nga shtetasi me iniciale L.Ch, për revokimin e masës së sigurimit
Me vendimin nr. 1563/1, datë 09.09.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi:
-Pranimin e kërkesës.
-Zëvëndesimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të caktuar ndaj shtetasit L.Ch, me vendimin nr. 1563 akti, datë 14.07.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me atë të “arrestit në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penal.


