Nuredin Dumani, njëri nga 4 bashkëpunëtorët e prokurorisë së posaçme SPAK, ka dalë nga ambientet e burgut dhe nën shoqërinë e oficerëve të BKH-s, është çuar në vendet, ku ai ka treguar se ka zhvilluar takimet dhe rënë dakord për marrjen e porosive të vrasjeve.
Dumani, është çuar në disa vende në Tiranë, Durrës, në Rrogozhinë dhe Elbasan, vende këto ku ai ka identifikuar si pika takimi mes personazheve të botës së krimit, nga të cilët ka marrë porosi për të kryer vrasje.
Nuredin Dumani, është dëshmitari kryesor dhe më i rëndësishme i SPAK, në raport me tre bashkëpunëtorët e tjerë si Henrik Hoxhaj, Klevis Alla dhe Euglen Halili.
I shoqëruar nga oficerët e BKH-së dhe Policisë së Shtetit, Dumani mësohet të jetë çuar në Elbasan, duke identifikuar pozicionin e goditjes në 29 Mars 2022, në zonën e Papërit.
Pikërisht në këtë vend, ai ka treguar trajektoren e lëvizjes, vendin e dorëzimit të një automatiku kallashnikov tek një person që mbërriti atë ditë nga Elbasani në Papër si dhe momentin final të goditjes me armë nga Talo Çela.


