Janë publikuar pamjet e momentit kur një shqiptar tentoi të përdhunojë një 20-vjeçare në Greqi.
Vajza po kthehej në banesë kur u sulmua nga 40-vjeçari, por pasi ajo rezistoi shqiptari e dhunoi brutalisht.
Siç shihet në video, 20-vjeçarja e tmerruar nga goditjet e shqiptarit, shkëputet nga duart e tij dhe fillon të trokasë në dyert e banesave në Nicë duke kërkuar dëshpërimisht për ndihmë.
Në video dëgjohet vajza teksa thërret banorët e zonës për ta shpëtuar nga duart e dhunuesit dhe bërtet “ai do të më vrasë”.
40-vjeçari u arrestua në orët e para të së dielës pas sulmit ndaj 20-vjeçares në rrugën Mystra, e cila po kthehej nga një festë.
Sipas informacioneve, shqiptari iu është afruar 20-vjeçares dhe ka tentuar ta përdhunojë, por vajza ka rezistuar dhe për pasojë i arrestuari e ka rrahur shumë keq.
Pas sulmit që ka marrë, 20-vjeçarja është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm Shtetëror të Nicës ku i është dhënë ndihma e parë dhe i është nënshtruar analizave.
Sipas të njëjtave informacione, 40-vjeçari ishte liruar nga burgu pak kohë më parë teksa vuante dënimin për vepra seksuale. Bëhet e ditur se para arrestimit të shqiptarit ka pasur edhe dy denoncime të tjera nga gra për tentativë përdhunimi në të njëjtën zonë.
Në vitin 2018 ai u arrestua në Selanik për tentativë përdhunimi të një gruaje dhe u lirua nga burgu në Grevenë në prill të 2022, ndërsa në vitin 2016 u arrestua për posedim dhe trafik droge dhe dënimi i tij në atë kohë u pezullua.


