Zv. kryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku vlerësoi ofertën e deputetit demokrat, Ervin Salinaji, i cili u shpreh i hapur për të bashkëpunuar me maxhorancën në lidhje me menaxhimin e sulmeve kibernetike iraniane ndaj vendit tonë.
Në fjalimin e saj në parlament Balluku tha se vendi ynë po përballet me një sulm kibernetik të paprecedentë dhe të sponsorizuar.
“Vlerësoj ofertën e Salinjit për bashkëpunim, pasi kur ndodh një sulm i këtyre përmasave që nuk ka asnjë krahasim me sulme normale. Ka qenë sulm i sponsorizuar.
Po përballemi me diçka të paprecedente. Salianji të falendroj për ofertën e bashkëpunimit. Ne këtë e vlerësojmë si qeveri dhe maxhorancë. Qëllimi i sulmit kiberentik ishte fshirja e të dhënave”, tha Balluku në Kuvend.
Portali shtetëror e-Albania ra në shënjestrën e sulmeve kibernetike në mes të korrikut të këtij viti dhe nuk funksionoi për disa ditë. Qeveria shqiptare e njoftoi publikun se bëhej fjalë për një sulm kibernetik të sofistikuar dhe të sinkronizuar nga jashtë.
Njoftimin se prapa sulmit kibernetik qëndronte Qeveria iraniane e bëri kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fillim të shtatorit. Më pas, të dy vendet i shkëputën marrëdhëniet diplomatike.
Diplomatët iranianë u larguan nga Ambasada në Tiranë, më 8 shtator, ndërkaq paraprakisht dogjën letrat dhe dokumentacionin në ambientet e Ambasadës.