Mesazhe urimi nga e gjithë bota kanë arritur në Londër pas shpalljes zyrtare të Charles III si Mbret i ri i Mbretërisë së Bashkuar, të shtunën.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i ka uruar monarkut të ri britanik “një mbretërim të suksesshëm dhe të lavdishëm”, raportoi CNN të shtunën.
Mbreti Felipe VI i Spanjës dërgoi këtë mesazh: “Me rastin e mbarë të shpalljes së ngjitjes suaj në fron, dëshiroj t’i shpreh Madhërisë suaj, në emrin tim dhe në emër të qeverisë dhe popullit spanjoll, urimet tona të sinqerta”.
Edhe presidenti rus, Vladimir Putin, dërgoi urimet e tij duke thënë: “Ju lutemi pranoni urimet e mia të sinqerta për ardhjen tuaj në fron. I uroj Madhërisë suaj suksese, shëndet të mirë dhe gjithë të mirat”
Mesazhi i Putinit vjen në kohën kur ai po bën një luftë kundër Ukrainës, një konflikt në të cilin Mbretëria e Bashkuar qëndron fort në anën e Kievit.
Mbretëria e Bashkuar ka dërguar armë në Kiev dhe ka ofruar trajnime ushtarake për të ndihmuar vendin të mbrohet kundër agresionit të paprovokuar rus.
Ndërkaq, Charles III e ka uruar edhe kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan.
“Në emër të të gjithë londinezëve, i uroj monarkut tonë të ri mbretit Charles III çdo sukses, ndërsa Madhëria e Tij merr përsipër këtë përgjegjësi të rëndësishme”, tha Khan në një postim në Twitter.


