Ka shkuar në 19 numri i personave të arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Golden bullet”, operacion i nisur pas dëshmisë së vrasësit Nuredin Dumani.
Gjatë ditës së djeshme, ka përfunduar në pranga një 49- vjeçar, i shpallur në kërkim nga autoritetet pas fazës së parë të operacionit, i zhvilluar më 19 maj të këtij viti.
ARRESTIMI
Agim Gjini, 49 vjeç, ka përfunduar në prangat e Policisë së Durrësit, ndërsa dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor i Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit në disa ngjarje kriminale.
“Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë, të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale, shërbimet operacionale të DVP Durrës, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas të kërkuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Golden bullet”, organizuan dhe finalizuan fazën e dytë të këtij operacioni.
Si rezultat u kap dhe u vu në pranga shtetasi Agim Gjini, 49 vjeç, banues në Durrës”, bëri me dije Policia.
Mësohet se 49- vjecari është “tradhtuar” nga telefonatat me të afërmit e tij, me të cilët komunikonte.
Edhe pse ai fliste me kode me të afërmit dhe s’u tregonte atyre vendndodhjen, Policia ka mundur ta zbulojë vendin ku fshihej nëpërmjet valëve telefonike. Ai është zënë në befasi dhe është arrestuar nga skuadra operacionale.
Ndaj Agim Gjinit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me dhune” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Golden bullet”.


