Boris Johnson nuk do të jetë më kryeministri i Britanisë së Madhe prej muajit shtator, pasi dha dorëheqjen, pas skandaleve që përfshinë qeverinë e tij.
Megjithatë, duket se karriera e tij aktive në politikë do të marrë një drejtim ndryshe pas këtij vendimi. Mediat britanike raportojnë se zyrtarë të ndryshëm në ishull duan që kryeministri të marrë një rol të madh si lidhës diplomatik midis aleatëve perëndimorë dhe Ukrainës, gjatë periudhës së luftës.
Johnson u shfaq si aleati më i madh i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, dhe kjo do t’i lejonte atij të vazhdonte këtë marrëdhënie. Nëse Johnson pranon, kjo do të sigurojë gjithashtu që ai të vazhdojë të veprojë si një “irritues i madh” për liderin rus Vladimir Putin.
Lëvizja, e cila po konsiderohet në nivelet më të larta është propozuar nga ish-këshilltarë të lartë të qeverisë. Një grup ish-këshilltarësh të lartë të strategjisë dhe oficerëve ushtarakë besojnë se Johnson do të ishte ideal për këtë post për shkak të qëndrimit të tij unik dhe njohurive për të gjitha palët kryesore, raporton “The Sun”.
Profesori Gwythian Prins, një ekspert në strategjinë ushtarake dhe një këshilltar i Shefit të Shtabit të Mbrojtjes, thotë se do të siguronte një “urë të artë” nga Downing Street për Kryeministrin.
Në këtë drejtim, vë në pah mediumi britanik, plani për një rikthim të shpejtë në qendër të vëmendjes politike i është propozuar ekipit të zotit Johnson, kabinetit të Mbretërisë së Bashkuar dhe zyrtarëve të lartë të Ukrainës. Ata e shohin luftën kundër Putinit si në një fazë kritike, ku një figurë e madhe si zoti Johnson mund të ndihmojë në ndryshimin e ngjarjeve.
Ai do të vepronte si një ndërmjetës për lëvizjen e armëve dhe ndihmën ushtarake midis Perëndimit dhe Ukrainës dhe të merrte gjithashtu një rol në çdo bisedim të ardhshëm të paqes.


