Janë publikuar pamjet e grabitjes së bankës së nivelit të dytë në Koplik, ngjarje kjo e ndodhur më 9 Maj të këtij viti. Siç shihet në pamjet e siguruara nga Abcnews.al, grabitësit janë të maskuar dhe të armatosur rëndë, në momentin që hyjnë në bankë.
Policia ka njoftuar se ka realizuar operacionin “Syri i Sheganit” dhe ka vënë në pranga 3 të rinj. Ata janë Bekim Gurraj, 22 vjeç, Armir Shabaj, 25 vjeç dhe Admir Shabaj, 19 vjeç, banues në Aliaj të Malësisë së Madhe.
“Ndalimi i këtyre shtetasve u bë sepse në datën 09.05.2022, rreth orës 14:10, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë hyrë në degën e BKT-së, në Koplik, Malësi e Madhe dhe kanë marrë vlera të konsiderueshme monetare”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nga hetimet rezulton se ata kanë përdorur 2 armë zjarri dhe një automjet tip “Golf 3” pa targa, të cilin pas realizimit të grabitjes, e kanë braktisur dhe e kanë djegur tek vendi i quajtur “Rrethrrotullimi i Bajzës”, Koplik. Pas djegies së mjetit, nën kërcënimin e armëve, kanë ndaluar në rrugë një automjetin me drejtues shtetasin T. L., të cilit ia kanë marrë me forcë automjetin dhe më pas janë larguar më shpejtësi në drejtim të fshatit Shegan, ku dhe e kanë braktisur këtë mjet.
Pas ngjarjes, autorët i kanë hedhur në ujë armët. Ata kanë zgjedhur t’i hedhin në një degëzim të liqenit të Shkodrës të quajtur “Syri i Sheganit”, nga ku mori emrin edhe operacioni.






