Dëshmia e Nuredin Dumanit dhe e Henrik Hoxhës, dy vrasësve gjakftohtë dhe të pamëshirë, detyroi SPAK-un të lëshonte 32 urdhërarreste.
-800-0-624372903e541
Në daljen publike të shefit të kësaj Prokurorie dhe të kryepolicit të vendit u tha se u goditen 8 grupe kriminale, të cilët në shumë episode duket se veprojnë të ndarë vetëm në dy grupe që ndërveprojnë herë kundër njëritjetrit e herë mes vetes për të kryer vrasje me pagesë. Edhe pse që në momentin e operacionit të kryer disa ditë më parë, policia nuk ka mundur të arrestojë asnjë nga 14 personat e kërkuar dhe shumë të rrezikshëm, prokurorët e çështjes po përpiqen të bashkojnë dosjet e tyre që gjenden në disa prokurori rrethesh. Pas marrjes së dosjeve të disa prej vrasjeve të bujshme të cilat patën mbetur pa autor, së fundmi SPAK kërkon edhe dosjen e një grupi që për ta konsiderohet i veçantë.
Bëhet fjalë për ‘bandën’ kriminale të Laçit e cila doli në dëshminë e dy vrasësve të penduar dhe që shpeshherë duke që ka vepruar e vetme, përveçse se kur ka qenë e punësuar prej kapove të Elbasanit. Djemtë e grupit kriminal nga Laçi dolën në skenë në janarin e këtij viti teksa bënë betejë me policinë në mbikalimin e Kasharit ndërsa më vonë, nga dëshmia e një prej të arrestuarve u mor vesh se ata kishin dashur të vrisnin një person. Edhe pse atentati ndaj tij u mor me shaka nga ana e policisë, rezultoi se për vrasjen e tij ishin paguar shuma të majme dhe se personi që tentoi të kryente vrasjen vazhdon të jetë në kërkim sot e asaj dite pa mundur të vihet në pranga.
TËRHEQJA E DOSJES
Një dosje hetimore që flet për vrasjet me pagesë dhe një seri grabitjesh me armë e deri tek kundërvënia me kallashnikov, ndaj një patrulle policie në Rinas, pritet të merret nga SPAK tek Prokuroria e Laçit. Dëshmia e Nuredin Dumanit, ka hyrë në një fazë të dytë verifikimi, pasi bashkëpunëtori i drejtësisë ka folur dhe nxjerrë emra të tjerë në SPAK, çka ka detyruar 3 prokurorët të tërheqin më shumë se 18 dosje nga prokuroritë e rretheve. Qëllimi është bashkimi me dosjen nr.75, ku tashmë janë proceduar plot 32 persona, ndërsa vijohet të kryhen veprime hetimore për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë.
Gjatë këtyre ditëve, SPAKu ka shtuar kërkesat dhe interesin ndaj disa procedimeve, që janë riregjistruar në prokurorinë e rretheve, ku një ndër to është dhe çështja penale që flet për tentativën e vrasjes së Alfred Gjokës. Pikërisht në këtë dosje, është i përfshirë dhe Ilirian Feçi, njeri i afërm i Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit, ku së bashku dyshohet se kanë kryer disa grabitje me armë. Feçi qëndron në burg që prej shkurtit 2022 pasi u arrestua gjatë një operacioni të kryer nga Prokuroria e Laçit dhe Tiranës. Mes të arrestuarve të tjerë janë Damjan Lleshaj, Robert Laçi, Erion Mulaj, Ibrahim Difaj dhe në kërkim Shpëtim Kraja.
Ndërsa sipas Prokurorisë, personi që ka folur dhe bashkëpunuar me Policinë është pikërisht Ibrahim Difaj, i cili ka treguar aktivitetin kriminal të këtij grupi në ngjarjet ku Difaj ka qenë dhe vetë protagonist. Difaj ka hedhur dritë mbi tentativën e vrasjes së Alfred Gjokës, kundrejt një pagesë prej 20 mijë euro që ishte bërë pikërisht nga personi në kërkim, Shpëtim Kraja. Bashkëpunëtori ka treguar se plani për vrasjen e Gjokës në muajin gusht të vitit 2021 ka dështuar, pasi objektivi ka reaguar shumë shpejt, duke u larguar me kamionçinë. Për më tepër ky grup ku aderonte dhe shoku i Nuredin Dumanit e Talo Çelës, kishte qëlluar me armë zjarri dhe në drejtim të një patrulle policie, ngjarje kjo e ndodhur vitin e kaluar në zonën e “Qafë-Kasharit”.


