Nënkoloneli Denys Prokopenko i Regjimentit Azov, një njësi e Forcave të Armatosura të Ukrainës që ka mbrojtur fabrikën e çelikut Azovstal në qytetin jugor të Mariupolit, ka postuar një video në mediat sociale pasi qeveria në Kiev njoftoi se po i jepte fund mbrojtjes së saj, shkruan BBC.
Rusia thotë se rreth 2000 ushtarë janë dorëzuar- një shifër e ngjashme me vlerësimet e publikuara nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
“Dita 86 e mbrojtjes së Mariupolit. Udhëheqja e lartë ushtarake ka dhënë urdhër për të shpëtuar jetët e ushtarëve dhe për të ruajtur mirëqenien e ushtarakëve të garnizonit dhe për të mbrojtur qytetin.
Ne arritëm të evakuonim civilët, të plagosurit morën trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe ata arritën që të evakuoheshin.
Ndërsa për ata heronj të rënë, procesi është në vazhdim.
Dhe shpresoj që në të ardhmen e afërt të afërmit t’i varrosin me nder.
Lavdi Ukrainës”, përfundoi nënkoloneli.
Një nga trupat ukrainase që kishte mbrojtur strehën e fundit të qytetit të rrethuar, postoi një seri fotografish të fabrikës së çelikut të shkatërruar në mediat sociale ndërsa largohej nga vendi.
“Epo, kjo është e gjitha”, shkroi ushtaraku ukrainas Dmytro Kozatskyi pasi u largua nga uzina. “Faleminderit për strehën, Azovstal është vendi i vdekjes dhe jetës sime”, shtoi ai.
Më herët, autoritetet ruse thanë se rreth 2,000 ushtarë ukrainas u dorëzuan në Azovstal dhe besohet se janë dërguar në zonat e kontrolluara nga Rusia.


