Sot me 5 maj, në orën 12:00 do të mbahet në Varshavë, Konferenca e Donatorëve për Ukrainën, pas pushtimit nga Rusia. Veprimtaria u iniciua nga kryeministri polak Mateusz Moraëiecki dhe kryeministrja suedeze Magdalena Andersson.
Mbështetës po ashtu janë Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Qëllimi i nismës është mbështetja humanitare për Ukrainën.
Në konferencë do të jenë të pranishëm, krerë shtetesh, si dhe përfaqësues të biznesit dhe institucioneve financiare globale, partnerë të BE-së, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. I pranishëm do të jetë edhe kryeministri i vendit tonë Edi Rama.
Konferenca synon të mbledhë fonde për nevojat në rritje humanitare të Ukrainës. Polonia dhe Suedia duan të inkurajojnë partnerët e tyre që së bashku t’i përgjigjen gjendjes së Ukrainës.
Organizatat që ofrojnë ndihmë humanitare kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga donatorët. Kjo është thelbësore për të zgjeruar kapacitetin e tyre për të vepruar në Ukrainë dhe për të siguruar që ndihma të arrijnë tek të prekurit.


