Presidenti rus, Vladimir Putin është i dëshpëruar dhe nën tension nga ajo që mund t’i bëjë pasardhësi i tij në krye të qeverisë.
Ky është një paralajmërim i një ish-gjenerali të lartë amerikan, i quajtur Jack Keane. Ai ka thënë për mediat e huaja se pushteti i liderit të Kremlinit është në rrezik, veçanërisht nëse dështon në luftën në Ukrainë.
Gjithashtu sipas tij nuk përjashtohet mundësia që të vritet po nga personat që i qëndrojnë pranë. Megjithatë, gjenerali i njohur ka nënvizuar se Putini do të bëjë gjithçka për të qëndruar në pushtet, pasi kjo është dhe motivimi i tij për të ardhmen.
“Ai mendon vetëm për të qëndruar në pushtet. Ky është motivimi i tij. Ai e di mirë se një pasardhës do të kërkojë ta zëvendësojë, madje mund edhe ta vrasin”, tha gjenerali.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë që frustrimi i shefave rusë të spiunazhit dhe drejtuesve më të lartë të ushtrisë në drejtim të lidershipit të Vladimir Putin është duke u rritur.
Kjo ndikohet edhe nga ngërçi i krijuar në ofensivën ushtarake në Ukrainë. Putini në fillim të luftës mendonte se operacioni do të ishte i shpejtë dhe pa shumë viktima dhe humbje, por gjithçka ka dalë nga parashikimi, pasi shefi i Kremlinit nuk kishte llogaritur rezistencën e popullit të Ukrainës.


