Gjykata e Lezhës ka rikthyer për plotësim hetimesh dosjen penale që bën fjalë për vrasjen e punonjësit të Policisë së Shtetit Xhulio Prela, ngjarje kjo e ndodhur në 5 dhjetor 2020 në superstradën LezhëLaç, pranë fshatit Gajush të Lezhës.
Redion Hysa është personi i dyshuar në vrasjen e policit Prela, pasi edhe arma e krimit, një pistoletë tip “TT”, u sekuestrua në depozitën e ujit në banesën e tij.
KONFLIKTI
Më shumë se një vit pas vrasjes me një plumb në zemër, shkak i moskalimit për gjykim të çështjes penale, është bërë një pretendim i ngritur nga avokatët mbrojtës të personit të akuzuar.
Sipas pretendimit, efektivi i repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Xhulio Prela, gjatë periudhës kur ka shërbyer si punonjës policie në Lezhë, është konfliktuar me një person.
Nisur nga kjo situatë, gjykata urdhëroi prokurorinë të kryejë verifikime për këtë konflikt, i cili kishte shkuar deri në dyert e Prokurorisë së Lezhës, por kjo e fundit ka vendosur mosfillimin e hetimeve për përplasjen fizike mes këtyre dy personave.
PROVAT Referuar dosjes hetimore mësohet se pikërisht në depozitën e ujit, Policia e Lezhës, veç pistoletës, mundi të gjejë dhe një armë tip kallashnikov, ku rezultoi më pas se automatiku ishte përdorur në ngjarjen e datës 28 dhjetor 2020, kur ishte qëlluar me 28 plumba karburanti dhe trajleri i markës “Man”, që është në pronësi të një subjekti privat në Lezhë. Redion Hysa fillimisht u arrestua nga Policia në datën 28 dhjetor 2020 për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve” dhe “Kanosjes me armë”.
Së bashku me të u arrestua për “Kanosje me armë” edhe kushëriri i Redionit, Sokol Hysa. Por përgjegjësia penale e Redion Hysës u rëndua në muajt në vijim, pasi njëra nga armët, pistoleta e gjetur në depozitën e ujit që ndodhej mbi tarracën e shtëpisë së tij, ka rezultuar se ishte përdorur në ngjarjen e 5 dhjetorit 2020, ku mbeti i vrarë efektivi i FNSH-së, Xhuliano Prela.
Ekspertiza balistike ka provuar shkencërisht se pistoleta që mbahej e fshehur në depozitën e ujit, ka kryer 3 qitje në fshatin Gajush të Lezhës, vend në të cilin u gjend i pajetë efektivi i Policisë. Madje ekspertët shtojnë se edhe predha që i ka marrë jetën punonjësit të Policisë, është qitur pikërisht nga arma e gjendur në banesën e Redion Hysës.
Sipas hetimit të kryer dhe dëshmisë së punonjësve të karburantit ku ka ndodhur vrasja e Xhuliano Prelës, mesnatën e krimit rreth orës 02:00, kanë qenë dy makina, njëra fuoristradë dhe tjetra tip “Golf 3”, e përshtatur për gjueti. Makina tip “Golf 3”, që roja i karburantit ka treguar qysh në 5 dhjetor në Polici, aktualisht është e bllokuar dhe i përket pikërisht Redion Hysës.
Ndërsa vetëm 23 ditë pas vrasjes së punonjësit të Policisë Xhuliano Prela, pikërisht në karburantin ku dhe ka ndodhur ngjarja, është regjistruar në mesnatë një ngjarje e dytë, duke u mitrajluar me 28 plumba kallashnikovi kamioni tip “Man” dhe fasada e karburantit. Arma me të cilën është qëlluar në këtë ngjarje iu gjend në depozitën e ujit, pikërisht Redion Hysës.
Hysa në këtë ngjarje ka qenë së bashku me kushëririn e tij, Sokol Hysa. Qëllimi i tyre ka qenë për të kanosur punonjësin e karburantit që ka dëshmuar se mesnatën kur u vra polici Xhuliano Prela, kanë qenë dy makina dhe jo një makinë e vetme. Në lidhje me këtë ngjarje, prokuroria ka marrë të pandehur edhe shtetasin Nikoll Sherniku për veprën penale “Moskallëzim krimi”.


