Një rekurs i hedhur poshtë nga Gjykata e Lartë kundër ekstradimit të një prej anëtarëve të kartelit shqiptar të drogës “Kompania Bello”, është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese.
Gentian Manaj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese pas vendimit të Gjykatës së Lartë që linte në fuqi dy vendimet e shkallëve të tjera të gjyqësorit për ekstradimin e tij. Me anë të vendimit të zbardhur dje dhe i marrë më 22 shkurt e zbardhur shtatë ditë më vonë, Gjykata Kushtetuese thotë se nuk janë ndjekur procedurat ligjore për ankimin e të pandehurit Manaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
“Gjykata, duke i vlerësuar veprimet/mosveprimet e konstatuara në procesin gjyqësor në drejtim të garantimit të së drejtës së aksesit në gjykatë, në përfundim vlerëson se vendimi i Kolegjit Penal për mospranimin e rekursit, i kundërshtuar nga kërkuesi, është rrjedhojë e një tërësie shkaqesh që lidhen me veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore, duke nisur me mosveprimet e IEVP-së FushëKrujë, e cila duhej t’i përcillte një kopje të aktit të përfaqësimit organit procedues (prokurorisë ose gjykatës) dhe më pas të gjykatave, që nuk kanë hetuar dhe verifikuar në mënyrën e duhur përfaqësimin dhe tagrat e mbrojtësit, por edhe me sjelljen e vetë mbrojtësit të kërkuesit.
Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se kërkesa është e bazuar dhe duhet të pranohet, për shkak të shkeljes së nenit 42 të Kushtetutës, në drejtim të mosrespektimit të aksesit substancial të kërkuesit në Gjykatën e Lartë”, thuhet në vendim. Më tej në vendim thuhet se Gjykata e Lartë, gjatë shqyrtimit të rekursit të 35- vjeçarit Myzafer (Gentian) Manaj, nuk ka evidentuar të metat formale të rekursit në momentin e paraqitjes së tij, duke mos i dhënë mundësinë kërkuesit për ta plotësuar atë, duke theksuar se ky vendim është vendosur apriori dhe se nuk janë korrigjuar vendimet e administratës gjyqësore.
Nëpërmjet ankimit në Gjykatën Kushtetuese, Gentian Manaj pretendonte se ishte cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor, pasi Gjykata e Lartë nuk u ka dhënë përgjigje pretendimeve të tij të ngritura në rekurs.
ARRESTIMET
Gentian Manaj u arrestua në Tiranë më 17 shtator 2021 në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Los Blancos”, ndërsa bashkë me të, u arrestuan edhe katër persona të tjerë, përkatësisht Elvis Jaupaj dhe Jorin Llambro, të arrestuar në Vlorë; Rexhino Ibrahimi, i arrestuar në Durrës dhe Vladimir Lesaj, i arrestuar në Lezhë.
Të pesë personat u prangosën me qëllim ekstradimi në drejtim të Italisë, nga ku u iniciuan hetimet dhe vazhdoi operacioni ndërkombëtar me tentakula nga Ekuadori në drejtim të disa shteteve europiane. Pas më shumë se gjashtë muajsh nga arrestimi, Manaj nuk është ekstraduar ende.
Në kuadër të këtij operacioni janë vënë në pranga 30 persona, 5 prej të cilëve në Shqipëri. Këta të fundit dyshohet se janë pjesë e grupit të Dritan Rexhepit, i cili në kohën e arrestimit ishte i burgosur në një burg në Ekuador dhe i kërkuar gjithashtu në disa shtete europiane.


