Sali Berisha ka marrë sot pjesë në mbledhjen e parë të Grupit Parlamentar që pas përjashtimit nga kjo forcë politike me vendim të Lulzim Bashës.
Pas vendimit të Gjykatës e cila njohu statutin e miratuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit, Sali Berisha dhe përkrahësit e tij të cilët disa u përjashtuan dhe disa u pezulluan, kanë marrë sot pjesë në mbledhjen e parë të Grupit.
PD ka shpërndarë dhe disa foto nga brenda takimit, ku bie në sy se mbledhja drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, dhe në krah të tij janë dy nënkryetarët e Grupit, Luçiano Boçi dhe Ervin Salianji, ndërkohë që në krahun tjetër ndodhet Sali Berisha, Tritan Shehu dhe Agron Shehaj.
Në mbledhjen e grupit të PD, bie në sy dhe sloganet e reja që ka vendosur Partia Demokratike pas heqjes së logos së Lulzim Bashës dhe dyerve të blinduara.
“Më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”, thuhet në sloganin e Pd të vendosur krahas logos së miratuar në Kuvendin e 11 dhjetorit.


