Banorët e lagjen “5 Maji” në kryeqytet kanë protestuar ditën e sotme para parlamentit për të kundërshtuar prishjen e shtëpive të tyre.
Njëri prej banorëve u bëri apel qytetarëve të tjerë që u është shembur shtëpia të bëjnë padi individuale pasi vetëm kështu, theksoi ai, mund ta vënë gjykatën me shpatulla pas murit.
“Si është nis lufta aty te 5 Maji, ne ju drejtuam gjykatave dhe ajo me të drejtën e zotit tha se nuk duhet të prishur asnjë banesë. U bëj thirrje të gjithë banorëve që u prishen shtëpitë në Tiranë të bëjnë kallëzime individuale sepse ashtu mund ta vënë gjykatësin me shpatulla pas murit. Ne banorët e 5 Majit kemi kërkuar marrëveshje në të gjithë Shqipërinë.
Ne do nisim hapat ligjorë. Do dalim nëpër protesta. Ne e kemi problemim me Bashkinë e Tiranës sepse Këshilli i Ministrave ka ngarkuar bashkinë të bëjë aktmarrëveshje me këta banorë. Këta paskan qenë fare e keqe. Se edhe hajdutët ngopen një ditë. Mua më kanë nxjerrë kriminelin më të madh në botë se kam punuar 20 vite në emigrim dhe kam blerë një shtëpi”, deklaroi ai.
Një tjetër pjesëmarrës në protestë u shpreh se kanë marrë mbështetje nga dy deputetë për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa shtoi se duhen në total 28 ligjvënës në mënyrë që kjo nismë të ecë përpara.
“Ka deputetë nga maxhoranca. Ka deputetë nga opozita që nuk e dinë as vetë ku janë. Kërkojmë që ta dërgojmë në Kushtetutese. Për ta dërguar në Kushtetuese duhen 28 deputetë. Deri më tani kemi marrë mbështetjen e dy deputetëve. Fredit i thonë mos dil në protestë se na turpërove. Kemi kërkuar nga politikanët, ata që e kanë bërë mullar pisllëkun e vet. Kërkojmë reagim dhe presion ndaj çdo deputeti qoftë i majtë qoftë i djathtë që të votojnë”, tha ai.


