• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 11 August, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

11 August, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • Drejtësi
  • Kronikë
  • Media
  • Reportazh
PREJ 7 MUAJSH NË SHQIPËRI/ Përcillen për në SHBA 212 afganët e parë
Home
Sociale

PREJ 7 MUAJSH NË SHQIPËRI/ Përcillen për në SHBA 212 afganët e parë

22 March, 2022 s.autor Aktualitet, Sociale

Prej 7 muajsh në Shqipëri, përcillen për në SHBA 212 afganët e parë. Ata u përshëndetën përmes një ceremonie të posaçme nga ministrja Xhaçka dhe ambasadorja Kim.

Fjala e ministres Xhaçka

Mirëmbrëma të dashur miq. U emocionova shumë kur erdha këtu për t’ju dhënë lamtumirën dhe takuar me disa prej jush.  Më kujtohet sikur të ishte vetëm pak ditë më parë kur erdhët dhe ju pritëm për herë të parë në këtë vend.  Më duhet të them, se sot kam ndjenja vërtet të përziera, nga njëra anë, jam shumë e lumtur për secilin prej jush, e di se kjo është ajo që ju keni dashur, që kjo është ajo që keni ëndërruar dhe  jam shumë e lumtur që kjo ëndërr u realizua dhe në një farë mase, ajo u realizua edhe më shpejt nga sa guxuam të shpresonim.

E di që shumica prej jush kanë qenë njerëz të suksesshmëm në atdhe, në të gjitha kapacitetet e jetës, njerëz që bënë ndryshimin në Afganistan, qoftë në media, qoftë në të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grave e në botën akademi. E di që sot duhet të keni shumë emocione, njëfarë shqetësimi, por më lejoni t’ju them këtë, si dikush që ka qenë emigrant në Shtetet e Bashkuara, që ka studiuar atje, që ka jetuar atje, që njeh Shtetet e Bashkuara, ky është vendi më i mirë dhe vendi i mundësive, dhe  nëse ia dolët në Afganistan, pavarësisht rrezikut, vështirësive, jam e sigurt se do të keni një të ardhme fantastike në Shtetet e Bashkuara dhe do të keni sukses atje për shumë kohë.

Por krahas lumturisë duhet të them se ndihem edhe e trishtuar.  Ky është fundi i një operacioni për shumë prej jush dhe për shumë prej nesh, për të cilin padyshim ne dhamë gjithçka, dhamë zemrën dhe mendjen tonë, ne ju pamë dhe  pritëm si të ftuar,  por ju u bëtë edhe miqtë tanë.  Sot miqtë tanë po ikin.  Shpresoj që ju të keni gjithmonë një kujtim të mirë për këtë vend, për Shqipërinë, për njerëzit e saj dhe që në të ardhmen do të ktheheni të na vizitoni dhe ne me të vërtetë e presim atë ditë, por gjithashtu besoj shumë se ky operacion, evakuimet dhe strehimi juaj, nuk ju ndihmoi vetëm ju, besoj fort se na ka ndihmuar edhe neve.  E kam pasur këtë bisedë me shumë nga njerëzit që u përfshinë dhe që e bënë të mundur këtë, që nga ambasada amerikane, apo njerëz që kanë ardhur këtu për t’ju asistuar,  ndihmuar, se ky operacion na ka bërë të gjithëve njerëz më të mirë dhe ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë përvojë, për më tepër na ka bërë miq dhe e ka bërë edhe më të fortë lidhjen tonë me miqtë e vjetër.  Kam takuar disa njerëz të jashtëzakonshëm gjatë këtij operacioni, që jam krenare t’i quaj miq, nuk dua t’i rendis të gjitha, por dua të përmend  Arzon se e shoh sot të përlotur nga trishtimi, por edhe nga gëzimi tek lëvizni drejt një të ardhmeje shumë më të mirë,  ka qenë kaq mahnitëse në pasionin dhe përkushtimin e saj. Faleminderit shumë për gjithçka që keni bërë Arzo.

Por ky operacion na ka afruar edhe më shumë ne dhe miqtë tanë amerikanë, partnerët tanë amerikanë.  Njerëz si Ambasadorja Yuri Kim, Keith dhe bashkëpunëtorët e tyre që kanë punuar pa u lodhur për të realizuar pikërisht këtë moment këtu. Ka qenë një nder për ne që të ndihmojmë partnerët tanë në kohën e tyre të nevojës dhe  jam e sigurt se aleanca dhe miqësia jonë vetëm sa do të forcohet dhe ka hyrë në një fazë të re ose në një fazë të re për shkak të këtij operacioni.  Kështu që nuk dua të marr shumë nga koha juaj.  E di që jeni të paduruar për t’u nisur dhe se keni një udhëtim të gjatë përpara.  Dua vetëm t’ju uroj më të mirat në jetën tuaj të re.  Ka qenë kënaqësi dhe nder t’ju prisja, t’ju njihja dhe me të vërtetë ju uroj një udhëtim të sigurt drejt një jete dhe të ardhme shumë më të mirë për ju dhe familjet tuaja.

Ambasadorja Yuri Kim

Është një nder dhe një gëzim i vërtetë të jem këtu me ju në këtë çast. Ju keni bërë një rrugë të gjatë. Ju keni bërë një rrugë të gjatë dhe e di që ndoshta ka pasur momente kur keni dashur të hiqni dorë. Dhe ne jemi të lumtur që askush nga ne nuk u dorëzua. As mikpritësit tuaj shqiptarë, as miqtë tuaj amerikanë, as ju, as familjet tuaja. Nuk do ta harroj kurrë natën kur ju mbërritët këtu dhe erdhët gjatë disa netëve njëra pas tjetrës, dhe të shihja se arritët në këtë vend të mrekullueshëm si Shqipëria ishte një moment i ndritshëm në ato ditë të errëta. Dhe e di që flas në emër të të gjithëve në Ambasadën Amerikane këtu, kur them se ishim vërtet të nderuar që ishim në gjendje t’ju ndihmonim në një mënyrë, sado të vogël, për ta kaluar këtë periudhë shumë të vështirë. Dua t’ju them se ka dy arsye që nuk do ta harroj kurrë ardhjen tuaj. Njëra është guximi juaj. Edhe përpara se të kalonit kohët e vështira gjatë muajit gusht në Afganistan, ju ishit njerëz të cilët rrezikuan veten për të punuar për një Afganistan më të fortë, më të mirë dhe më të lirë. Dhe ju punuat për një botë më të mirë për brezin e ardhshëm. Arsyeja e dytë që nuk do ta harroj kurrë atë që ka ndodhur gjatë muajve të fundit është për shkak të popullit shqiptar dhe mënyrës se si ata hapin krahët dhe hapin zemrat e tyre për të gjithë ne.

Të gjithë ju. Shqipëria, siç e dini, ishte vendi i parë që u ngrit dhe tha: Ne do të ndihmojmë. Dyert tona janë të hapura. Ejani tek ne. Dhe ajo që kam mësuar në dy vitet e mia këtu në Shqipëri është se populli shqiptar e merr shumë seriozisht mundësinë, përgjegjësinë për t’i hapur derën një të huaji në nevojë dhe për t’ju bërë të ndiheni se jeni vërtet një mysafir. Këtu në Shqipëri ekziston një shprehje: “bukë, kripë dhe zemër të hapur”. Dhe ajo që kam ndjerë këtu është se, nëse shkoni tek një shqiptar në momentin tuaj më të vështirë, kur keni ftohtë, kur jeni të uritur, apo jeni të etur, një shqiptar do ta hapë derën gjerësisht dhe shqiptari do t’ju japë deri thërrimet e fundit të bukës, kokrrat e fundit të kripës dhe gjithçka që mbajnë në zemrën e tyre. Është çështje nderi. Ndaj faleminderit mikpritësve tanë shqiptarë, miqve tanë, zyrtarëve të qeverisë. Faleminderit për gjithçka që keni bërë. Ju jeni siguruar që të gjithë ata që vijnë këtu të ndihen si mysafirë dhe të qëndrojnë këtu me dinjitet dhe mirësi.

Disa prej jush mund ta dinë tashmë se gjatë Luftës së Dytë Botërore, ne pamë sërish nga afër se çfarë bënë shqiptarët. Dhe siç e përmenda, është çështje nderi. Dhe në ato kohë, kur hebrenjtë vinin sepse e gjithë bota ishte kundër tyre, ishin shqiptarët ata që hapën derën. Siç dhe mund ta dini, ata filluan me strehimin e 200 hebrenjve në këtë vend. Shqipëria është i vetmi vend në të gjithë Europën që përfundoi me më shumë hebrenj sesa në fillim. Dhe në fakt, ata kishin pothuajse 4000 hebrenj në kohën kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore. E di që, si shumë hebrenj, edhe ju do të keni një vend të veçantë në zemrën tuaj për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar, dhe duhet ta dini se edhe ju lini diçka nga pas këtu, një kujtim shumë të veçantë edhe për ta. Shpresoj ta dini se është një nder i madh për ne që jemi këtu me ju. Ne u përpoqëm të punonim sa më shumë që mundëm duke e ditur që ju po punonit edhe më shumë, dhe jemi të kënaqur që ishim në gjendje të bënim atë pak që kishim mundësi. Do të doja të falënderoja veçanërisht Keith Ëest, një nga pjesëtarët e stafit tonë. A mund të ngrihesh, Keith? Faleminderit që na ndihmove për t’ia arritur këtij çasti. Faleminderit, Keith, që drejtove me kaq vendosmëri, dinjitet, dhembshuri dhe profesionalizëm. Do të doja të falënderoja gjithashtu Holly Holter, e cila është këtu nga Uashingtoni në emër të zyrtarëve amerikanë, të cilët ende punojnë çdo ditë e natë në përpjekje për të mbështetur afganët që kërkojnë të zhvendosen jashtë Afganistanit. Holly, a je këtu? Ku je? Faleminderit ty Holly dhe të gjithë kolegëve tanë të kujdesit, të cilët vazhdojnë të ndihmojnë miqtë tanë afganë. Dhe të gjithëve ju, familjeve afgane. Sonte, ju po filloni një kapitull tjetër, kapitullin e jetëve tuaja të reja në Amerikë. Ju do t’i bashkoheni një kombi emigrantësh dhe paraardhësve të emigrantëve nga e gjithë bota, pasardhësve të emigrantëve nga e gjithë bota, duke u bashkuar me të tjerë nga Afganistani dhe Shqipëria dhe qindra të tjerëve. Unë jam vetë emigrante, emigrante e gjeneratës së parë. Dhe ajo që dua t’ju them është se keni bërë një rrugë të gjatë, siç them unë, por edhe rruga përpara do të jetë e gjatë. Do të ketë sërish çaste kur do doni të hiqni dorë. Mos u dorëzoni. Mos hiqni dorë. Unë mendoj se nëse ju mbani shpresën në zemrat tuaja, do të vijë një ditë kur trishtimi i asaj që keni humbur do të tejkalohet nga gëzimi dhe premtimi i asaj që do të vijë. Dhe unë mendoj se të gjithë ju keni treguar me këmbënguljen dhe mirësinë tuaj këtu se do të bëheni amerikanë të shkëlqyer. Dhe pres me padurim që të mund t’ju thërras kështu. Në emër të të gjithë amerikanëve, dëshiroj t’ju uroj një udhëtim të sigurt në shtëpinë tuaj të re dhe në të ardhmen tuaj të re. Dhe ju uroj gjithë të mirat, teksa filloni sërish nga e para. Shumë faleminderit.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article JONDIA VOKSHI NË PRITJE TË ËMBËL? Aktorja “bën lëmsh” ndjekësit me deklaratën e fundit
Previous article PËR TË NDERUAR TË RËNËT NË LUFTË/ Çdo ditë në Ukrainë do të mbahet 1 minutë heshtje

s.autor

Postime të ngjashme

ZJARR MASIV NË PYLLIN E SINICËS NË DEVOLL/ 11 zjarrfikës dhe 3 punonjës pyjorë në terren Aktualitet

ZJARR MASIV NË PYLLIN E SINICËS NË DEVOLL/ 11 zjarrfikës dhe 3 punonjës pyjorë në terren

TJETËR AKSIDENT NË FIER/ Automjeti "merr para" një person me biçikletë Aktualitet

TJETËR AKSIDENT NË FIER/ Automjeti "merr para" një person me biçikletë

E RËNDË NË VELIPOJË/ I shpërtheu tubi i gazit në mjetin lundrues, 39-vjeçari pëson djegie në trup Aktualitet

E RËNDË NË VELIPOJË/ I shpërtheu tubi i gazit në mjetin lundrues, 39-vjeçari pëson djegie në trup

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT