Ishte prilli i dy viteve më parë, në kulmin e pandemisë, kur Italia thuajse ishte e gjunjëzuar, kur shfaqen imazhet e një demonstrimi që ngriti në këmbë Antiterrorin italian.
Bëhej fjalë për një postim në të cilin thuhej: “Covid19 është një ushtar i Allahut, i dërguar për të shkatërruar jobesimtarët! Sëmundja godet Perëndimin, asgjëson ekonominë e tij, dobëson ushtritë e tij, dhe, më në fund, i detyron gratë të mbulojnë fytyrat e tyre”! Autoritetet italiane fillimisht e panë si një mesazh kundër Kryeministrit të tyre, por më pas nisën hetimet në mënyrë të menjëhershme.
Arritën të zbulonin faqet online nga vinin këto mesazhe dhe më pas mundën të identifikojnë persona konkretë që jetonin e vepronin në Itali, madje ishin edhe zyrtarë lokalë. Pas një verifikimi dhe përgjimi ta gjatë, që ka nisur pikërisht në prillin e 2020-ës, Antimafia ka lëshuar urdhër arreste për katër shqiptarë, pjesë e një grupi terrorist, që në hetimet e tyre rezultojnë ndër të tjera të jenë financuesit e xhamisë së drejtuar nga Genci Balla, imami i vetëshpallur, i cili u arrestua si kreu i grupit xhihadist vite më parë në vendin tonë.
Grupi hetimor që ka dalë mesditën e djeshme në një konferencë për shtyp në Prokurorinë e Barit, ka bërë me dije se personat e arrestuar kanë lidhje me njëri-tjetrin dhe se paratë i çonin në Shqipëri me anë të kamionëve. Po ashtu, ata thanë se bëhet fjalë se edhe në Shqipëri janë dy persona me të cilët bashkëpunojnë dhe se presin paratë e dërguara nga grupi i goditur mëngjesin e djeshëm.
ORGANIZIMI I GRUPIT
Covid-19 u përkufizua si një “ushtar i vogël i Allahut”, i dërguar në tokë për të ndëshkuar jobesimtarët perëndimorë, ndërsa Ukraina ishte “një tokë nga e cila duhej marrë gaz”. Në bisedat e tyre, Prokuroria italiane thotë se kishte referenca të vazhdueshme në lidhje me gjithçka ndodhte në botë. 4 shqiptarë, të cilët banonin prej vitesh në Itali, janë arrestuar nga Policia në provincën e Barit dhe Cuneos, me akuzën e terrorizmit ndërkombëtar.
Hetimet e Prokurorisë së Barit kanë çuar në identifikimin e celulës terroriste të pranishme në Itali dhe, sipas autoriteteve, tejet të rrezikshme. Referuar mediave italiane, bëhet me dije se ata dyshohet se kanë mbledhur dhe dërguar para në formën e bamirësisë për të financuar aktivitetin terrorist të imamit të Xhamisë së Letrës në Kavajë, Genci Ballës, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me organizatën terroriste të ISIS, duke u dënuar nga drejtësia jonë në vitin 2016, me 17 vjet burg për akuzën e rekrutimit të dhjetëra luftëtarëve të dërguar në Siri.
TË ARRESTUARIT
Mes të tjerash, mediat tregojnë se katër shtetasit shqiptarët janë me banim në zonën e Barit, rajoni i Pulias. Në arrest kanë përfunduar Yljan Muça, 31 vjeç; Roland Lleshi, 37 vjeç; Elsio Ramku, 33 vjeç dhe Roland Belba, 37 vjeç. Të katërt banonin në zona të ndryshme të Barit.
Sipas hetimeve të Prokurorisë Antimafia, Muça rezulton të ishte promotor i nismës së grumbullimit të parave; Lleshi dhe Ramku kishin rolin e ndërmjetësit dhe Belba, që është edhe kunati i Muçës, në bashkëpunim me dy persona të tjerë në Shqipëri, dyshohet se kalonte paratë për në Shqipëri nëpërmjet kanaleve që nuk mund të gjurmoheshin dot.
Pala italiane bën me dije se në një rast të identifikuar prej tyre, paratë ishin kaluar me një çantë në kamion dhe më pas me traget kishin ardhur në vendin tonë. Gjatë dy viteve të fundit, udhëtimet e shqiptarëve janë dokumentuar çdo dy muaj dhe faktet e mbledhura datojnë mes majit dhe korrikut të vitit 2020. Muça akuzohet gjithashtu edhe për veprën penale të nxitjes së terrorizmit, për shpërndarjen e bisedave në “WhatsApp”, platformë nga ku kishte nisur edhe mbledhja e parave.
Ai kishte shpërndarë edhe linkun e një videoje për arrestimin e 40 personave të dyshuar të lidhur me ISIS, ku kishte përdorur edhe foton e Genci Ballës, duke bërë të mundur shtimin e urrejtjes së mbështetësve për arrestimin e tyre, dukej mbajtur edhe qëndrim për atë operacion policor. Mediat italiane sqarojnë se, sipas raportit të Prokurorisë, “4 të arrestuarit kanë nxjerrë në pah një vendim fetar radikal, sipas të cilit, Covid-i ishte një ushtar i vogël i Allahut, që do të ndëshkonte Perëndimin”.
PËRGJIMET
Prokuroria italiane ka bërë një mori përgjimesh dhe është ndaluar pikërisht te të diskutuarit e tyre në lidhje me problemet e aktualitetit. Ka shumë biseda në të cilat analizohen ngjarjet ndërkombëtare, thotë raporti hetimor. “Është një nga bisedat që u kap veçanërisht në korrik të vitit 2020, sepse pas një fare kohe, leximi i sotëm ka efekt të caktuar, flasin për Ballkanin dhe Ukrainën, në një vizion të kundërshtimit ekstrem mes Perëndimit e Lindjes”, tha numri dy i Prokurorisë së Barit, Francesco Giannella.
“Flitet për një përvetësim të Ukrainës nga perëndimorët, që synon përvetësimin e gazit ukrainas. Nuk shërben për të bërë një lexim të aktualitetit, kjo është e qartë, por na bën të kuptojmë se cili është nënkuptimi kulturor dhe që bindshëm gjarpëron në mjedise të caktuara, të cilat çdo ngjarje ndërkombëtare e shohin si ngjarje në kontrast ekstrem mes Perëndimit dhe Lindjes”.
Të dyshuarit kishin një jetë normale në dukje, të integruar mirë në qytet, njëri prej të cilëve, që kishte marrë nënshtetësinë italiane, punonte edhe në sektorin e agrikulturës në Bashkinë e Barit.
Hetimet, sipas prokurorisë, u kryen duke përdorur teknikat më moderne të monitorimit të internetit dhe bënë të mundur zbulimin se bisedat e dyshuara, video dhe audio, të propagandës pro-xhihadiste, shpërndaheshin me përkthim nga arabishtja në shqip. Mes dokumenteve të dosjes, ishte edhe komunikata e ish-udhëheqësit të Shtetit Islamik, Abu Bakar Al Baghdati dhe pasardhësit të tij, Ebu Ibrahim, të dy të vrarë nga forcat amerikane në Siri dhe Irak


