Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur masa të reja për grupin e të arrestuarve si pjesë e operacionit ndaj shtetasit Refael Genish, izraelitit që zhvaste të huajt nga Shqipëria përmes skemave Forex.
Përmes FOREX ata kanë kontaktuar më shumë se dy milionë qytetarë europianë, ku mbi 2 mijë prej tyre kanë arritur të mashtrohen, ndërsa vlerat monetare që përfitonin varionin nga 500 euro e sipër. Pas operacionit janë sekuestruar “RG Company” në pronësi të Refael Genish, ambientet ku ushtrohej veprimtaria e Call Center në Tiranë, qindra pajisje ndërsa po punohet edhe për të sekuestruar shuma parash të cilat dyshohet se janë depozituar në llogari bankare brenda dhe jashtë vendit.
Kështu Gjykata vendosi të lirojë të gjithë punonjësit që ishin pjesë e “RG Company” dhe po ashtu dha një masë më të butë për izraelitin. Refael Genish do të vuajë tani masën “arrest shtëpie”, me policinë gjyqësore që do të mbikqyrë zbatimin e masës së sigurimit.
Shtetasit izraelit i ndalohet të dalë nga banesa e tij, e po ashtu të kontaktojë me persona të tjerë, përveç familjarëve dhe mbrojtësit të tij.
Ndërsa për personat e tjerë të arrestuar, u dha masa “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” 1 herë në muaj.
Si u zbulua skema
Nga shërbimet partnere po kryen hetime, lidhur me veprën penale të mashtrimit kompjuterik për arsye përfitimi, ku dëmi i shkaktuar kap shifrën e disa miliona eurove. Në lidhje me mekanizmin e kryerjes së mashtrimit referohet se, sapo viktima regjistrohej në platformën e mashtrimit me emër, mbiemër, email dhe numrin e telefonit, autorët i kontaktonin menjëherë në telefon dhe krijohej një bazë besimi me klientin e pretenduar.
Fillimisht viktimat tundohen të investojnë në sasi të vogla me premtimin se “brokeri/ndërmjetësi” i pretenduar i faqes së investimeve, do të realizojë një fitim të madh me investimin e aksioneve dhe valutave të kriptuara. Faqja e internetit “fx-leader” reforohet se merret në mënyrë fiktive me biznes në fushën e transaksioneve financiare me të ashtuquajtura opsione binare. Për këtë qëllim krijohen posaçërisht call center, me anë të të cilave klientët kontaktohen nga një konsulent financiar personal, për t’i joshur që të bëjë investime të larta. Të gjitha fitimet dhe humbjet stimulohen virtualisht. Një algoritëm përkatës bën që fitimet e fillimit t’i shtyjnë pjesëmarrësit për të investuar shuma të mëdha parash. Në momentin që personi i prekur ngulmon që të marrë fitimet e tyre apo depozitat, kjo gjë nuk është e mundur. Sipas qëllimit fillestar, sistemi është i ndërtuar në formë të atillë, që t’i mbajë varur personat e prekur, deri sa t’u kenë marrë mjaftueshëm para në mënyrë të paligjshme, për t’i mbyllur më pas faqet.
Në kuadër të analizës së një llogarie u arrit të evidentohej që ishte bërë një përpjekje për të transferuar shumën prej 11,522.25 euro në një llogari IBAN, ku marrësi është RGCapital SHPK. Transferta ishte anuluar sepse IBAN-i i përmendur ishte gabim. Për RG Capital SHPK u kryen verifikime në internet, tqë çuan te call center-i Capital SHPK në Tiranë.
Nga këqyrja e sistemit të QKB është gjetur subjekti RG Capital, i cili ka si objekt aktiviteti: “Konsulencë, tele-marketing, tele-shitje, formim profesional dhe trajtim personeli. Shitje produktesh në ueb, shërbime marketing,” me adresën në Tiranë dhe administrator shtetasin Refael Genish.
Nga këqyrja e sistemit TIMS, në lidhje me administratorin e subjektit, ka rezultuar se ka hyrje dalje në territorin e vendit tonë, si dhe ka adresë banimi në Tiranë, rruga Shqyyri Bërxhulli, pallati inter-co, kati 6, apartamenti nr.29, njësia 10.
Pas këqyrjes së sistemit E-Albania, janë administruar listë pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi për tatimpaguesin RG Capital për të parë numrin e punonjësve të regjistruar pranë këtij subjekti.
Nga kjo analizë e bërë me pagat e deklaruara të punëonjësve, policia ka veçuar disa prej tyre, që dyshohet se kanë role kyçe. Ata persona dyshohet se punojnë me programet e bursave dhe kryejnë mashtrimet e shtetasve të huaj.
Nga data 13.09. 2021 e në vazhdim, subjekti RG Capital dhe administratori Refael Genish, janë mbajtur në vëshgim. Nga përgjimi fotografik ka rezultuar se në subjektin e tij zhvillohej aktiviteti call center. U morën foto nga të gjitha ambientet e pajisjet që kanë qenë në punë. Në njërën nga fotot me interes për hetimin dukej qartë platforma, me të cilën punonin me emrin “Investin.com”, e cila dyshohet të jetë përdorur për mashtrime.
Në datë 23.12.201, u bë kontrolli i ambienteve të RG Capital nga policia dhe më pas u ushtrua kontroll edhe në banesën e shtetasit Refael Genish. Nga kontrolli në subjekt u konstatuan 62 persona, ata u gjetën në postet e tyre të punës dhe kishin dosje me emra të shtetasve të huaj, numra telefoni e adresa email. Kishte dhe dosje me emrat e “Artit” që përdornin gjatë komunikimit me personat që kontaktonin. Gjatë kontrollit janë gjetur 123 njësi kompjuterive, kontrata pune, libreza, e materiale të tjera të vlefshme për hetim. E njëjta procedurë u krye dhe në banesën e Refael Genish.


