Ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se kryedemokrati Lulzim Basha ka tejkaluar çdo vijë të kuqe dhe limiti në lidhje me qëndrimin e tij ndaj Partisë Demokratike.
Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, Berisha u pyet nga gazetari Blendi Fevziu nëse është i gatshëm të telefonojë Lulzim Bashën për t’i hapur rrugë procesit të bashkimit të partisë.
Ish-Kryeministri u shpreh se është i hapur për këdo. Sa i përket Lulzim Bashës, tha se e ka rrugën të hapur për të marrë pjesë në çdo garë brenda partisë.
Ish-Kryeministri ftoi për bashkim edhe deputetët dhe anëtarët e tjerë të PD që janë shprehur kundër tij.
“Pse kanë folur kundër meje ka zero efekt tek unë. Janë të mirëpritur në grupin parlamentar dhe të vazhdojnë betejën kundër kësaj qeverie. Asnjë lloj hipoteke negative nuk mund të kenë ata për qëndrimet. Secili nga deputetët e PD që e lexon si duhet mesazhin e 6 Marsit që konstaton se Sali Berisha dhe PD e rithemelimit nuk u votua vetëm nga anëtarësia por nga 70% e elektoratit shqiptar i ka dyert e hapura për t’u bashkuar”.


