Partia Demokratike ka bërë sot një denoncim, ku pretendon se dy ministrat e qeverisë Rama, në kohë të ndryshme kanë bërë udhëtime më Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, të shpallur në kërkim për aferën e inceneratorëve.
Këshilltari ligjor i PD, Marash Logu ka nxjerrë dy dokumente që sipas tij tregojnë hyrjet dhe daljet që Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri kanë bërë bashkë me Mërtirin dhe Zoton.
Logu i bën thirrje SPAK të marrë në pyetje Ametajn dhe Gjiknurin. Është e paqartë se për çfarë dokumentesh bëhet fjalë, pasi materiali i publikuar nga PD duket se është nxjerrë nga një celular.
Postimi i Marash Logut
UDHËTIMET 430 MILIONË EURO TË ISH-MINISTRAVE AHMETAJ DHE GJIKNURI
📍 Nga 27 janari 2012 deri më 16 tetor 2019, Arben Ahmetaj ka udhëtuar 12 herë me dy pronarët e kompanive të inceneratorëve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto (shih fotot 1&2).
📍 Nga 27 janari 2012 deri më 23 korrik 2019, Damian Gjinkuri ka udhëtuar 6 herë me dy pronarët e kompanive të inceneratorëve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto (shih foton 3).
📍 Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto janë sot në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv, pastrim të produkteve të veprës penale, të kryera në bashkëpunim, për aferën korruptive të inceneratorëve. Ndërsa, miqtë e tyre politikanë, të veshur njëri me kostumin e zëvëndëskryeministrit dhe tjetri me atë të sekretarit të përgjithshëm të PS-së, vazhdojnë vjedhjet të pashqetësuar.
📍 SPAK duhet të thërrasë një orë e më parë Arben Ahmetajn dhe Damian Gjiknurin për të sqaruar miqësinë e udhëtimet e tyre me pronarët e inceneratorëve. Sepse, ndryshe nga sa thonë Ahmetaj-Gjiknuri, miqësitë a udhëtimet e tyre private, iu kanë kushtuar qytetarëve shqiptarë 430 milionë euro.




