Ish-ministrja e Qeverisë “Rama 1”, Eglantina Gjermeni, njëherësh ish-deputete e Partisë Socialiste, është dekretuar nga presidenti Ilir Meta ambasadore e Shqipërisë në misionin e OSBE-së në Vjenë, pas propozimit nga kryeministri Edi Rama.
Gjermeni në zgjedhjet e kaluara ishte nga deputetët që nuk pranoi të merrte pjesë ne garën elektorale të 25 prillit 2021, duke u larguar nga politika aktive së bashku me Vasilika Hysin. Eglantina Gjermeni ka mbajtur postin e ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmi.
Ish ministrja Turizmit, në dëgjesën pranë Komisionit të Politikës së Jashtme, pak ditë më parë u ndal tek ecuria e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare si edhe listoi prioritete që do të ketë ajo në këtë detyrë.
“Përkushtimi, përgjegjshmëria dhe puna ime do të jenë maksimale për të thelluar bashkëpunimin me Organizatën e OSBE, pjesëmarrja aktive në forume por edhe shtetet anëtarë të saj. Rritja e profilit të Shqipërisë dhe rolit aktiv të saj në OSBE por edhe Organizatat e tjera ndërkombëtare, do të jenë fokusi i punës dhe misionit tim në Vjenë.”, theksoi Gjermeni.
Ajo mori mbështetjen e anëtarëve të Komisionit të cilët vlerësuan jo vetëm punën e saj 3 herë deputete dhe 4 vite ministre, por edhe personalitetin e saj.



