Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla gjatë një takimi me banorët e dy lagjeve në Lushnje, ku prezantoi kandidaten për bashki, Eriselda Sefën nuk i ka kursyer ironitë në drejtim të Ilir Metës, Sali Berishës si edhe ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
Balla u shpreh se Berisha tashmë është futur në shtëpinë e Ilirit, duke ironizuar kështu koalicionin ‘Shtëpia e Lirisë’.
“Ata që kanë mbështetur PD-në, ata nuk e gjejnë më veten as tek Saliu që ka hyrë tek shtëpia e Ilirit, as tek Luli që ka vjedhur shtëpinë e Saliut, sipas asaj që thotë vetë Saliu. Të dy janë të së shkuarës dhe nuk kanë lidhje me të shkuarën. Unë nuk dua që demokratët e Lushnjes të japin votën. Këto zgjedhje në 6 mars, Ilir Meta i thirri jo për të respektuar Kushtetutën, se sipas rregullit zgjedhjet do ishin bërë verën e vitit të kaluar. Për Shkodrën Ilir Meta priti 6 muaj.
Këto zgjedhje u thirrën për të parë se sa vota ka Saliu dhe Iliri bashkë, dhe sa ka Luli se di me kë do jetë. Unë e them troç. Nuk krahasohen dot kurrë punët që ka bërë PS, me ato që kanë bërë ato që nuk ekzistojnë. Këtë fushatë do e shfrytëzojmë. Sot jemi në dy lagje të rindërtuara të Lushnjës. Duhet të trokasim çdo derë. Duhen mbajtur shënim të gjitha pakënaqësitë e qytetarëve lushnjarë. Unë kam kritikat e mia për punët që duhen bërë në Lushnje.
Duhen vëmendje, jo shumë fonde. Nga trotuarët, siguria e këmbësorëve dhe të gjitha. Ne po bëjmë një projekt me qeverinë gjermane, e cila prej disa kohësh ka financuar kanalizimet e ujërave të zeza. Falë Eriseldës, e cila ka treguar integritetin e duhur dhe komunikimin e duhur me donatorët. Qeveria gjermane nuk financon nëse nuk gjen qeverinë e duhur. Bashkia e Lushnjes ka fituar besimin e humbur prej disa kohësh të donatorëve të huaj”, deklaroi Balla.


