Burri vret gruan me thikën e bukës dhe e raporton atë si të vetëvrarë. Krimi i rëndë është regjistruar mëngjesin e djeshëm në zonën e Fierit, ku një grua 50-vjeçare është masakruar me thikë nga bashkëshorti i saj. Viktima Valdete Mamaj kishte plagë të shumta në trup për shkak të goditjeve me thikë. Dyshohet se bashkëshorti i saj, Petrit Mamaj, pasi masakroi gruan me thikë, e la trupin e pajetë në shtëpi dhe ka dalë në një nga mensat e lagjes.
NGJARJA
Ka qenë kunati i gruas ai që e ka gjetur 50-vjeçaren të masakruar me thikë brenda banesës, duke kërkuar ndihmë dhe më pas ka lajmëruan menjëherë Policinë, pa e ditur se krimin e rëndë e kishte kryer vëllai i tij. Ky i fundit i kishte deklaruar se gruaja kishte kryer vetëvrasje dhe ky ishte edhe versioni i njoftimit të parë të Policisë. Pas hetimeve paraprake, u zbulua se gruaja kishte gjashtë plagë thike në trup, një prej të cilëve në pjesën e zemrës. Pas ekspertizës mbi trupin e gruas, u bë e qartë se nuk bëhej fjalë për vetëvrasje, por vrasje për shkak të plagëve të shumta. Trupi i pajetë u gjet në krevatin e dhomës së gjumit dhe krimi dyshohet të jetë kryer rreth orës 06:30 minuta të mëngjesit. Edhe vetë burri i saj ka thënë se është vetëvrarë, por nuk ka dhënë detaje për arsyet që mund ta kishin çuar gruan drejt këtij vendimi fatal.
ARRESTIMI
Më pas, Policia duke pyetur të afërm e miq të familjes si dhe të njohur të tyre, ka nisur të dyshojë se nuk bëhej fjalë për vetëvrasje. Të njohurit dhe familjarët e familjes Mamaj i kanë thënë Policisë së çifti kishte shpesh sherre për shkaqe xhelozie. Kjo ka bërë që blutë ta shoqërojnë në Polici, jo më si person që mund të kishte dijeni mbi ngjarjen, por si autor të dyshuar të ngjarjes. “Pas njoftimit të marrë në sallën operative se në lagjen ‘Sheq i Madh’, Fier, në banesën e saj një shtetase është vetëvrarë, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, kanë vijuar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Nga provat e grumbulluara, deklarimet e marra, këqyrjes së trupit të viktimës nga eksperti mjekoligjor dhe veprimet e mëtejshme hetimore të kryera nga grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorisë Fier, rezulton se shtetasi Petrit Mamaj, bashkëshorti i viktimës, për motive të dobëta ka goditur me thikë shtetasen Valdete Mamaj, e cila për pasojë ka gjetur vdekjen”, sqaroi Policia.
Pas shoqërimit në Komisariat dhe pranimit të krimit, 56- vjeçari është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”. Policia tha se ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin prerës (thikë), me të cilin dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.
U godit gjashtë herë me thikë, paradoksi i njoftimit të Policisë
Kishin kaluar rreth katër orë pas vrasjes barbare të një gruaje 50-vjeçare në lagjen “Sheq i Madh” në Fier, ndërsa Policia e lokale e raportonte si vetëvrasje. Mbi trupin e gruas fatkeqe kishte plagë të shumta me thikë, çka një njeri që mund të vetëvritet nuk mund t’i shkaktojë, aq më tepër në pjesë të ndryshme të trupit. Valdete Mamaj kishte një plagë edhe në pjesën e shpinës. “Më datë 08.02.2022, në lagjen ‘Sheq i Madh’, Fier, rreth orës 07:50, është gjetur nga bashkëshorti i saj, në banesë, dyshohet e vetëvrarë me mjet prerës (thikë), shtetasja Valdete Mamaj, 50 vjeçe. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e parë të Policisë. U desh të kalonin rreth katër orë që Policia të korrigjonte njoftimin e saj, duke sqaruar se 50-vjeçarja kishte ndërruar jetë nga goditjet e shumta me thikë të bashkëshortit të saj.
Pas krimit shkoi në mensë, si gënjeu 56-vjeçari për vrasjen e gruas
Fillimisht ngjarja e rëndë u raportua si vetëvrasje, sepse 56-vjeçari i kishte deklaruar Policisë se gruaja e kishte ndërmarrë vetë një akt të tillë. Policia thotë se Petrit Mamaj i gënjeu forcat e rendit me deklaratat e tij mbi vetëvrasjen e gruas. Pas hetimeve, rezultoi se ai ishte autor i krimit të rëndë, duke e qëlluar gruan disa herë me thikë kryesisht në pjesën e gjoksit. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie. Pas “zbërthimit” para hetuesve, 56-vjeçari jo vetëm që ka pranuar kryerjen e vrasjes, por ka theksuar se ishin çështjet e xhelozisë ato që kishin shkaktuar konflikte të vazhdueshme në çift. Në deklarimet paraprake në Policinë lokale, burri ka deklaruar se dyshonte që gruaja e tij e tradhtonte. Kjo kishte qenë arsye që marrëdhënia midis çiftit ishte krisur pas një martese prej rreth 30 vitesh. Konfliktet e vazhdueshme në çift kanë kulmuar mëngjesin e djeshëm me vrasjen barbare të gruas me thikën e kuzhinës. Ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur konkretisht në orët e para të mëngjesit të djeshëm midis çiftit, që ka agravuar deri në përdorimin e thikës dhe, për pasojë, duke i shkaktuar vdekjen fatale gruas.
Burime pranë vendit të ngjarjes tregojnë se burri, pasi ka vrarë të shoqen, ka shkuar si përherë në mensën e lagjes për të mos rënë në sy. Ai është paraqitur i qetë dhe askush nuk ka vënë re diçka të dyshimtë. Dëshmitë e familjarëve dhe një shenjë thike në pjesën e shpinës i drejtuan sytë e hetimit nga burri i saj. Ata ishin prindër të dy fëmijëve, përkatësisht një vajze dhe një djali.
Çifti përcolli djalin për në Gjermani
Çifti Petrit dhe Valdete Mamaj ishin prindër të dy fëmijëve, një vajze dhe një djali. Banorë të lagjes së gruas fatkeqe, e cila u masakrua nga njeriu që kishte gati tri dekada me të cilin jetonte, thotë se djali i tyre ishte larguar një ditë më herët për në Gjermani, ku edhe punonte. Edhe pse të vetëm në familje, bashkëshorti Petrit Mamaj ka ndërmarrë aktin ekstrem ndaj nënës së fëmijëve të tij. Ka qenë vëllai i Petritit, punonjës në Policinë lokale, ai që ka raportuar ngjarjen, ndërsa i vëllai i ka deklaruar fillimisht atij se Valdetja ishte vetëvrarë. Por, pas konstatimit të plagëve të shumta në trup, dyshimet e vetëvrasjes kanë rënë. Ekspertiza e mëtejshme dhe shoqërimi i bashkëshortit të së ndjerës ka zbuluar edhe të vërtetën e krimit tragjik. Valdete Mamaj punonte si shitëse në një dyqan në Fier, ndërsa 56-vjeçari punonte te shërbimet komunale.


