Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me tensionet Ukrainë-Rusi, të cilat janë në prag të një lufte. Basha, i cili mori pjesë në një takim online në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane, u shpreh se PD mbështet përpjekjet e SHBA dhe BE për zgjidhje diplomatike, për situatën në Ukrainë.
“Ne duhet të qëndrojmë krah për krah në aleancën tonë euroatlantike përballë kësaj sfide të rrezikshme jo vetëm për vetë Ukrainën, por edhe për Evropën e me gjerë”,-theksoi zoti Basha, ndersa shtoi se: “Lufta nuk duhet të jetë kurrë një opsion, ndaj mbetet detyrë e liderëve politikë të përdorin të gjitha mjetet diplomatike dhe të lënë mënjanë kërcënimet e luftës.”
Në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane, Basha kërkoi që këto kohë të trazuara të jenë nxitëse për Europën, që t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe të ushtrojë një ndikim më të madh për njohjen e Kosovës nga vendet që ende nuk e kane bërë dhe përmbylljen e marrëveshjes me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të dy vendeve, tu mundësohet anëtarësimi sa më i shpejtë në BE. Basha theksoi se popujt e rajonit, pa dallim, duan të shohin përpara për të ardhmen e tyre të përbashkët evropiane, dhe të lënë pas të kaluarën tragjike.


