Aktori i njohur shqiptar Anastas Kristofori, i cili ndërroi sot jetë në moshën 78-vjeçare, ishte një prej aktorëve më të veçantë në kinematografinë shqiptare.
Për portretin e tij unik dhe karakteret e tij me një lojë mjeshtërore aktoriale, ai mban titullin “Artist i merituar”. I njohur më së shumti si Perikliu te “Pallati 176”, ai ka sjellë në skenë edhe role të tjera. Interpretimi brilant dhe talenti i pashoq, spikati dhe e ktheu atë në një nga aktorët më të dashur për publikun.
Anastas Kristofori lindi në fshatin Vuno të Vlorës në ditën e Flamurit, më 28 nëntor 1943. Talenti për aktrim spikati që në vogëli tek artisti. U diplomua në Institutin e Lartë të Arteve, dega dramë në vitin 1970. Menjëherë pasi përfundoi studimet, u emërua në Teatrin Popullor.
Kristofori u aktivizua në shumë shfaqje teatrale duke luajtur në shfaqjet: Vajza pa prikë (1970), Familja e Peshkatarit, Duke gdhirë viti ’45, Shënomëni dhe mua, Komunistët, Nën dritat e skenës, Shkallët. Në teatër, paraqitjet e tij kulmuan me drejtor ‘Perikliun’ në komedinë “Pallati 176”, e cila mban rekordin për numrin më të madh të shfaqjeve në historinë e artit shqiptar. Komedia vazhdoi me një pjesë të dytë në vitet 1998-1999.
Kristofori interpretoi rolin e zotit Dëllfit tek “Arturo Ui”, rolin e sekretarit të Prefektit në dramën “Prefekti” të Besim Levonjës, rolin e Apostolit në dramën “Komunistët” të Ruzhdi Pulahës, tek “Epoka para gjyqit” etj.










